Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë kanë vendosur lirimin me kusht të ish-luftëtarit të UÇK-së, Haxhi Shala, si dhe të Bashkim Smakajt dhe Fadil Fazliut.
Haxhi Shala u lirua pas vendimit të 2 shkurtit 2026 të Kryetares së DHSK-së, gjykatëses Ekaterina Trendafilova, e cila modifikoi dënimin e tij prej tre vjetësh, duke i hapur rrugë lirimit me kusht.
Ai u kthye në Kosovë ditën e sotme. Gjykata bëri të ditur se në vendim janë marrë parasysh shenjat e rehabilitimit gjatë vuajtjes së dënimit, një letër personale e Shalës ku ai shprehte keqardhje për veprimet e tij, si dhe rrethanat familjare dhe sociale që tregojnë mundësi për riintegrim. Megjithatë, u theksua se veprat për të cilat ai ishte shpallur fajtor, lidhur me pengimin e administrimit të drejtësisë, mbeten të rënda.
Ndërkohë, po sot, Dhomat e Specializuara liruan me kusht edhe Bashkim Smakajn dhe Fadil Fazliun, pas rishikimit të paraburgimit në kuadër të çështjes gjyqësore ndaj Hashim Thaçit dhe të tjerëve.
Në vendimet e marra më 3 shkurt 2026, Gjykatësi i Vetëm konstatoi se rrethanat kishin ndryshuar dhe se vazhdimi i paraburgimit nuk ishte më i arsyeshëm dhe proporcional.
Sipas gjykatës, ndonëse ekziston ende një rrezik i kufizuar për pengim të procesit, e drejta themelore për liri peshon më shumë. U mor parasysh edhe fakti se koha e kaluar në paraburgim tejkalon dënimin minimal të mundshëm në rast shpalljeje fajtore, si dhe se faza e paraqitjes së provave ka përfunduar. Gjykata vlerësoi se nuk ka rrezik arratisjeje, duke pasur parasysh edhe dorëzaninë financiare të ofruar.
Smakaj dhe Fazliu mbeten të akuzuar në procesin gjyqësor dhe lirimi i tyre me kusht shoqërohet me masa dhe kufizime të caktuara. DHSK-ja rikujtoi se, sipas standardeve ndërkombëtare dhe Kushtetutës së Kosovës, paraburgimi para shpalljes së fajësisë lejohet vetëm kur ka rreziqe konkrete dhe rishikohet rregullisht nga gjykata.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)