Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka thirrur për të mërkurën në orën 12:00, seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës, një ditë pasi Komisioni Qendror i Zgjedhjeve certifikoi rezultatet e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit.
Vendimi është marrë pas konsultimeve me shumicën e partive parlamentare dhe duke u bazuar në urgjencën për krijimin e institucioneve të reja, miratimin e buxhetit dhe marrëveshjeve ndërkombëtare.
Sipas rezultateve të certifikuara, Lëvizja Vetëvendosje ka dalë fituese me 51.10 për qind të votave, duke siguruar 57 vende në Kuvend. Partia Demokratike e Kosovës ka fituar 22 vende, Lidhja Demokratike e Kosovës 15, ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës 6.
Nga komuniteti serb, Lista Serbe ka marrë nëntë vende, ndërsa një mandat i ka takuar Partisë për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë.
Seanca konstituive do të zhvillohet sipas rregullores, e cila parasheh formimin e Komisionit të Përkohshëm për Verifikimin e Mandateve, betimin e deputetëve, zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit dhe pesë nënkryetarëve. Për zgjedhjen e tyre kërkohen së paku 61 vota.
Pas konstituimit të Kuvendit, hapet rruga për formimin e Qeverisë së re. Presidentja pritet të mandatojë për kryeministër kandidatin e partisë fituese, LVV-së, i cili do të ketë 15 ditë kohë për të siguruar mbështetjen parlamentare.
Ndërkohë, vendi përballet edhe me afatin kushtetues për zgjedhjen e presidentit të ri, që duhet të përfundojë më së largu deri më 4 mars, për të shmangur shpalljen e zgjedhjeve të reja.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)