KQZ në Kosovë certifikon rezultatin e zgjedhjeve të 28 dhjetorit

Komisioni Zgjedhor në Kosovë ka certifikuar rezultatet e zgjedhjeve parlamentare të 28 dhjetorit.

Burimi: REL

09.02.2026. 19:44

KQZ në Kosovë certifikon rezultatin e zgjedhjeve të 28 dhjetorit

Pas më shumë se 40 ditësh, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë ka certifikuar me 11 vota pro rezultatin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit.

Certifikimi i rezultatit të këtyre zgjedhjeve erdhi pasi përfunduan afatet që partitë kishin në dispozicion për të ankimuar rezultatet përfundimtare të shpallura nga KQZ pak ditë më parë.

Sipas rezultateve përfundimtare të shpallura nga KQZ-ja më 31 janar, Lëvizja Vetëvendosje ka fituar 51.10 për qind të votave, duke siguruar 57 ulëse në Kuvendin e Kosovës. Partia Demokratike e Kosovës ka marrë 20.19 për qind të votave, apo 22 ulëse, Lidhja Demokratike e Kosovës 13.24 për qind, apo 15 ulëse, ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës 5.50 për qind, apo gjashtë ulëse.

Nga ulëset e rezervuara për minoritetin serb, nëntë ulëse i ka fituar Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë, dhe një ulëse Partia për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë.

Zgjatja e certifikimit të këtyre zgjedhjeve erdhi edhe si pasojë e rinumërimit të votave për kandidatët ku u vunë re parregullsi të mëdha në pjesën më të madhe të komunave.

Dhjetëra persona janë dërguar në paraburgim, për këtë çështje dhe shumë të tjerë janë mbarrë në pyetje. Prokuroria ka paralajmëruar se objekt i hetimeve mund të jenë edhe kandidatët për deputetë.

Sipas Ligjit për zgjedhjet e përgjithshme, pas certifikimit të rezultatit zgjedhor pritet mbajtja e seancës konstituive. Kjo seancë duhet të mbahet brenda 30 ditësh dhe duhet të thirret nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)