Berisha viziton deputetin e plagosur tek Trauma: U godit nga banditët me uniformë, me urdhër të Edi Ramës

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka vizituar Spitalin e Traumës pas protestës së opozitës, ku është njoftuar për gjendjen e deputetit të PD, Bledion Nallbati, i cili pësoi një goditje në kokë gjatë përplasjeve me policinë.

10.02.2026. 22:14

Berisha viziton deputetin e plagosur tek Trauma: U godit nga banditët me uniformë, me urdhër të Edi Ramës

Kryedemokrati Sali Berisha pas fjalës mbyllëse të protestës kombëtare, e la selinë blu dhe me urgjencë udhëtoi drejt Spitalit të Traumës, aty ku po trajtohet me ndihmë mjekësore deputeti Bledion Nallbati, i cili është goditur në kokë gjatë përplasjes me efektivët e policisë.

Pasi pa nga afër gjendjen e Nallbatit, Berisha foli për mediat nga ‘Trauma’ duke thënë se sulmi ndaj ligjvënësit opozitar ka qenë i pa shkak dhe akuzoi policët si banditë me uniformë që kanë zbatuar sipas tij urdhrin e zv/drejtorit të policisë Sokol Bizhga.

Berisha tha se mjekët i kanë komunikuar se Nallbati ka një hematomë në indet e buta dhe do të qëndrojë nën observim për të monitoruar çdo pasojë të mëvonshme të goditjes.

“Mësohet se urdhërdhënësi është krimineli i damkosur Sokol Bizhga, njëri nga figurat më të urryera dhe kriminelët më të damkosur me uniformë në Republikën e Shqipërisë.  E garantoj Sokol Bizhgën, i cili e goditi deputetin me urdhër të Edi Ramës, se do ketë përgjegjësi deri në ditën e fundit të tij. Ky akt i shëmtuar. Njeriu që i është djeg kolegu në makinë dhe ia ka mbath kur banditët në Sarandë kanë djeg Gjergj Mehmetin. Ky është i pafytyri Sokol Bizhga që duhet të ishte dekada në burg dhe tani komandon policinë. Një hero , një guximtar i vërtetë u dogj nga bandat në makinë dhe Sokol Bizhga shpëtoi. Ky është krimineli që ka zbatuar sot urdhrin e Edi Ramës. Unë shpreh mbështetjen dhe keqardhjen më të madhe për operatorin e News 24, por dëshmitarë okularë rrotull, thonë se flaka ka ardhur nga ana e policisë, dhe jo nga ana e protestuesve. Ndaj ju lutem shumë edhe ju të kontrolloni të gjitha filmimet. Sjelljen e policisë, sjellja e banditëve, sjellja e Sokolo Bizhgës është një sjellje kriminale e paparë. Unë e garantoj këtë bandit që do jetë përgjegjës për dhunën shtazore të përdorur ndaj protestuesve. Ju do shihni një qytetar me aftësi ndryshe, e kanë kap në mënyrë kafshërore, e hedhin mbi tela si të ishte një objekt. Këto janë vepra të kriminelit Sokol Bizhga, ai është njeriu që shpirti i Gjergj Mehmetit do ta ndjek edhe në varr kur të shkojë”, deklaroi Berisha.

I pyetur nga gazetarët nëse pa efektivë të lënduar nga molotovi teksa trajtoheshin me ndihmë mjekësore tek Spitali i Traumës, Berisha hodhi dyshime për shifrat e policëve të plagosur që Ministria e Brendshme paraqet për mediat.

“Policëve u shpreh keqardhjen e madhe, janë të keqpërdorur nga Sokol Bizhga sepse nuk kishin asnjë arsye të vërsuleshin me tërbim ndaj protestuesve paqësor. Është një protestues që ka marrë plumb gome në kokë. Plumbat e gomës janë të aftë çojnë edhe kafkën  ndonjëherë. Është goditur në kokë njëri prej tyre. Një gazetar kolegu juaj që ka ardhur nga Michigan-i të ndjekë protestën, desh mbeti i asfiksuar nga gazi në bulevard. Deputetët në të katër anët po merren që ti gjejmë ku janë të gjithë protestuesit, se kanë arrestuar 14 protestues. Por bilanci do të jetë 20 shkurti. Ishte siç e patë ju një heroizëm masiv. Të mos gabojnë ta marrin vetëpërmbajtjen tonë për dobësi. Mua më thanë s’ka asnjë këtu. Nëse i bien me detyrim këtu, le ti bien. Po ka të plagosur u uroj shërim të shpejtë. S’kam asnjë lloj hezitimi. Këta mashtrojnë. Por edhe njëherë, policët i përdorin mish për top, Edi Rama dhe Lubi Balluku, për të mbrojtur plaçkën e tyre. Janë të gatshëm të sakrifikojnë policinë dhe qytetarët. Janë gati ti vënë flakën Shqipërisë”, tha Berisha për mediat.

Ndërkohë në një njoftim zyrtar nga Ministria e Shëndetësisë bëhet e ditur se deputeti është në gjendje stabël dhe po i nënshtrohet ekzaminimit, ndërkohë që është koshient.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)