Bomba amerikane nga Lufta e Dytë Botërore alarmon Beogradin, evakuime masive

Një bombë e pashpërthyer që nga koha e Luftës së Dytë Botërore, e gjetur në një kantier ndërtimi, ka alarmuar Beogradin. Autoritetet kanë njoftuar se do të bëjnë zhvendosjen e bombës amerikane më 28 dhjetor dhe kanë paralajmëruar evakuime masive në zonën përreth vendit ku ajo u gjet.

Burimi: Newsmax Balkans Serbia

26.12.2025. 11:24

Bomba amerikane nga Lufta e Dytë Botërore alarmon Beogradin, evakuime masive

Një bombë ajrore e prodhimit amerikan, që u gjet në një kantier ndërtimi në Beograd, ka alarmuar autoritetet serbe, të cilat kanë nisur evakuimet në disa lagje të kryeqytetit.

Bomba e pashpërthyer nga Lufta e Dytë Botërore është e modelit "2AN-M44" dhe u gjet në rrugën Nikolaja Kravtsova, teksa eskavatorët gërmonin për të krijuar hapësirën për ngritjen e themeleve të një kompleksi banimi.

"Bëhet fjalë për një bombë me një masë totale prej rreth 470 kilogramësh, me një ngarkesë shpërthyese prej afërsisht 250 kilogramësh, e cila u përdor gjatë bombardimeve të aleatëve të pozicioneve gjermane gjatë çlirimit të Beogradit në vitin 1944”, specifikohet në një deklaratë të Ministrisë së Brendshme të Serbisë.

Sakaq, anëtarë të Ministrisë së Brendshme dhe Departamentit për Situata Emergjente do të punojnë të dielën, më 28 dhjetor, në orët e para të mëngjesit për të nxjerrë dhe transportuar e më pas shkatërruar në një tjetër ambient larg zonave të banuara bombën ajrore.

Ministria e Brendshme e Serbisë ka krijuar një perimetër sigurie dhe u ka bërë thirrje qytetarëve që jetojnë në blloqe banimi brenda kësaj hapësire që më 28 dhjetor nga ora 6 deri në orën 9, të largohen nga apartamentet e tyre.

Sakaq, vendi ku u gjet bomba ajrore po ruhet nga anëtarë të Departamentit të Policisë për qytetin e Beogradit.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)