Situatë e rënduar nga reshjet, qindra banesa dhe mijëra hektarë nën ujë

Reshjet intensive kanë shkaktuar përmbytje në zona të ndryshme të Shqipërisë, duke bllokuar rrugë, dëmtuar biznese dhe rrethuar qindra banesa nga uji. Autoritetet kanë evakuuar familje të rrezikuara dhe po monitorojnë situatën, ndërsa punonjësit e emergjencës punojnë për të rikthyer normalitetin.

07.01.2026. 08:57

Situatë e rënduar nga reshjet, qindra banesa dhe mijëra hektarë nën ujë

Reshjet e dendura të shiut që kanë përfshirë vendin gjatë 24 orëve të fundit kanë krijuar një situatë të vështirë në disa qarqe, duke shkaktuar përmbytje, rrëshqitje dherash dhe dëme në banesa, biznese dhe infrastrukturë rrugore.

Një nga zonat më të prekura është qarku i Vlorës, ku lumi Vjosa ka dalë nga shtrati në zonën e Mifolit. Niveli i ujit ka arritur deri në 6.8 metra, ndërsa prurjet nga Gjirokastra dhe Përmeti vazhdojnë të mbeten të larta.

Banorëve që jetojnë pranë lumit u është kërkuar të marrin masa paraprake për shkak të rrezikut nga përmbytjet.

Në Gjirokastër, reshjet kanë shkaktuar bllokimin e aksit nacional Gjirokastër–Kakavijë në zonën e Kordhocës, si dhe rrëshqitje dherash në disa segmente rrugore.

Në lagjen “18 Shtatori”, dalja nga shtrati e përroit ka përmbytur rreth 70 biznese, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale.

Po ashtu, rruga Kotë–Sevaster në fshatin Vajzë është bllokuar nga një rrëshqitje, ndërsa dy banesa janë shembur, fatmirësisht pa pasoja në njerëz.

Situata mbetet problematike edhe në qarkun e Lezhës dhe në Kurbin, ku janë evakuuar rreth 8 familje dhe rreth 150 banesa janë të rrethuara nga uji. Sipërfaqja e përmbytur në këto zona llogaritet rreth 2 600 hektarë tokë.

Në Durrës, veçanërisht në zonën e ish-kënetës dhe në Shkozet, rreth 100 banesa vijojnë të kenë ujë në oborre dhe ambiente të brendshme.

Në total, 18 familje me 60 persona janë evakuuar dhe janë strehuar përkohësisht në struktura të Ministrisë së Brendshme dhe Ministrisë së Mbrojtjes.

Strukturat e emergjencës civile, forcat zjarrfikëse dhe ekipet e bashkive vijojnë punën në terren, ndërsa qytetarët këshillohen të shmangin lëvizjet e panevojshme dhe të ndjekin njoftimet zyrtare.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)