Arratisja e Ndocit vendos burgjet nën “lupë”, Lamallari kërkon transferimin e të rrezikshmëve nga Durrësi

Burgjet në të gjithë vendin do të vendosen nën "lupë" pas arratisjes së bujshme të Altin Ndocit, i cili ishte i paraburgosur në IEPV-në e Durrësit. Ministri i Drejtësisë njoftoi marrjen e masave të ashpra dhe kontrollit të shtuar në çdo qeli pas një takimi me drejtorët e burgjeve ditën e sotme.

14.01.2026. 17:26

Arratisja e Ndocit vendos burgjet nën “lupë”, Lamallari kërkon transferimin e të rrezikshmëve nga Durrësi

24 orë pas arratisjes së bujshme të Altin Ndocit nga reparti infektiv i Spitalit të Durrësit, ku u shoqëruar për një kontroll mjekësore nga 5 oficerë të Policisë së Burgjeve, ministri i Drejtësisë Besfort Lamallari bën me dije se ka zhvilluar një mbledhje për të adresuar çështjen me krerët e të gjithë burgjeve të vendit.

Ministri përmes një postimi në Facebook informon se ka dhënë urdhëra të prerë për “krehjen” e burgjeve dhe marrjen e masave urgjente për të rritur sigurinë edhe përmes kontrollove shtesë nga SHKB në institucionet e vuajtjes së dënimit.

“Thirra sot një takim të posaçëm me drejtuesit e të gjitha Institucioneve të Ekzekutimit të Vendimeve Penale në vend. Pas shkarkimit të drejtorit të IEVP Durrës pas ngjarjes së rëndë dhe pezullimit të menjëhershëm të të gjithë zinxhirit përgjegjës, kam kërkuar masa urgjente për forcimin e kontrollit, rritjen e sigurisë dhe parandalimin e futjes së sendeve të paligjshme nëpër burgje.  Kam urdhëruar Shërbimin e Kontrollit të Brendshëm në Sistemin e Burgjeve të shpeshtojë kontrollet në të gjitha IEVP-të e vendit, për të parandaluar çdo tentativë të mundshme për cënim të sigurisë”, informon Lamallari.

Duke nënvizuar se “siguria në burgje është një prioritet absolut”, ministri i Drejtësisë thekson se “nuk do të tolerohet asnjë formë neglizhence apo shkeljeje e procedurave standard”.

Po ashtu Lamallari bën me dije se do të vlerësohet risku për çdo të paraburgosur në IEPV e Durrësit, për të kuptuar se kush nga personat që vuan dënimin aty paraqet rrezik dhe duhet të transferohet në një burg të sigurisë së lartë.

“Kërkova nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve të bëjë një vlerësim të parametrave të sigurisë dhe rishpërndarjes së IEVP Durrës, duke konsideruar transferimin e të dënuarve apo paraburgosurve me rrezikshmëri në burgje të sigurisë së lartë.  Çdo tentativë për të sfiduar rendin, sigurinë dhe autoritetin e ligjit nëpër burgje cënon gjithashtu sigurinë publike, besimin dhe bashkëpunimin me agjenicitë ligjzbatuese dhe institucionet e drejtësisë. Në çdo rast përgjegjësit do të përballen ligjërisht pa kompromis dhe pa humbur kohë me pasojat e veprimeve të tyre”, thekson Lamallari.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)