Një arratisje e bujshme ka ndodhur të martën nga Spitali Rajonal Durrës, ku i paraburgosuri Altin Ndoci, i cili ndodhej në burgun e Durrësit që nga maji 2020 me masë sigurimi “arrest me burg”, arriti të largohet gjatë një vizite mjekësore. Ndoci, i pandehur për veprat penale vrasje në rrethana cilësuese kundër dy ose më shumë personave, armëmbajtje pa leje dhe pjesëmarrje në organizatë kriminale, ishte shoqëruar nga punonjës të Policisë së Burgjeve për trajtim në pavionin infektiv të spitalit.
Në reagimin e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve këtë të mërkurë theksohet se gjatë vizitës mjekësore, pasi mjeku kardiolog rekomandoi rikontroll pas dy orësh, Ndoci ka kërkuar të shkojë në tualet. Ai u shoqërua nga efektivët, por gjatë këtij momenti kundërshtoi dhe goditi punonjësit, duke arritur të arratiset. Hetimet paraprake tregojnë se IEVP Durrës nuk ka informuar Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve dhe Komisariatin e Policisë Durrës mbi planifikimin dhe realizimin e vizitës mjekësore, si dhe nuk janë respektuar procedurat standarde për shoqërimin e të paraburgosurve.
“Nga verifikimet paraprake rezulton se, për shoqërimin e planifikuar, IEVP Durrës nuk ka informuar Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve dhe Komisariatin e Policisë Durrës, si dhe nuk ka raportuar në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve as planifikimin dhe as realizimin e vizitës mjekësore, në kundërshtim me aktet nënligjore në fuqi. Gjithashtu, rezulton se nuk janë respektuar procedurat standarde për shoqërimin e të paraburgosurve dhe të dënuarve”, thuhet në reagimin e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.
Si pasojë e këtyre mangësive, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka pezulluar të gjithë zinxhirin komandues të IEVP Durrës, duke përfshirë drejtorin, shefat e policisë, kryeinfermierin, shefen e shërbimit shëndetësor dhe disa punonjës të Policisë së Burgjeve. Ndërkohë, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës, është vendosur ndalimi i disa prej punonjësve të përfshirë direkt në shoqërimin e Ndocit.
Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve njofton se po merr të gjitha masat ligjore dhe administrative për të garantuar proces të rregullt dhe siguri në institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale, duke forcuar protokollet e sigurisë dhe duke ndjekur procedurat për ndëshkimin e përgjegjësve.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)