Rikthehet bora në Korçë, probleme në disa akse

Moti i keq ka rikthyer problematikat në disa zona të Korçës për shkak të reshjeve të borës dhe daljes nga shtrati të disa përrenjve.

17.02.2026. 09:02

Rikthehet bora në Korçë, probleme në disa akse

Moti i keq që ka përfshirë vendin gjatë orëve të fundit ka krijuar problematika në disa akse rrugore në qarkun e Korçës, ku reshjet e shiut dhe dëborës kanë sjellë vështirësi në qarkullim.

Në aksin Maliq–Kufi Gramsh, reshjet intensive të shiut gjatë natës kanë shkaktuar daljen e dy përrenjve në rrugë, duke sjellë inerte dhe baltë në segment. Aktualisht po punohet për pastrimin e plotë të rrugës, ndërsa reshjet e dëborës që kanë nisur më pas nuk kanë krijuar probleme shtesë deri në këto momente.

Reshje dëbore janë regjistruar edhe në akset Libonik–Rëmbec–Plasë dhe Korçë–Voskopojë, ku nga kilometri i 14-të reshjet e shiut janë zëvendësuar nga bora. Strukturat e mirëmbajtjes ndodhen në terren për pastrim dhe kriposje, ndërsa qarkullimi vijon normalisht vetëm me goma dimërore.

Në aksin Ersekë–Tre Urat po ashtu kanë nisur reshjet e dëborës, por pa raportime për bllokime apo vështirësi në lëvizje.

Në akset Korçë–Ersekë, Zemblak–Goricë dhe Bilisht–Miras, reshjet e dëborës paraqiten me intensitet të ulët dhe mesatar. Grupet e mirëmbajtjes po vijojnë punën në terren për të garantuar kalueshmërinë, ndërsa deri tani nuk raportohen probleme në qarkullim.

Në segmentin Boboshticë–Dardhë (Lapidari i Podgories) po operojnë dy mjete borëpastruese për të mbajtur rrugën të hapur. Autoritetet rekomandojnë që qarkullimi në këtë zonë të kryhet vetëm me goma dimërore.

Si pasojë e kushteve atmosferike, është raportuar edhe një defekt në fiderin Cervenak, NST “Guri i Kuq”, ku 12 abonentë kanë mbetur pa energji elektrike. Grupet e punës ndodhen në terren për evidentimin dhe riparimin e defektit.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)