Gazi lotsjellës 'pushtoi' Xhaminë e Namazgjasë, reagon ashpër Komuniteti Mysliman i Shqipërisë

Lidhur me ngjarjet e mbrëmjes së djeshme ka reaguar ashpër Komuniteti Mysliman i Shqipërisë, që e konsideron të pajustifikueshëm lëndimin e besimtarëve që po kryenin ritet fetare për shkak të gazit lotsjellës.

21.02.2026. 13:38

Gazi lotsjellës 'pushtoi' Xhaminë e Namazgjasë, reagon ashpër Komuniteti Mysliman i Shqipërisë

Përplasja mes protestuesve dhe policisë në afërsi të urës tek “Rruga e Elbasanit”, ku forcat e rendit barrikaduan turmën që po shkonte drejt Parlamentit, bëri që tymi i molotovit dhe gazi lotsjellës të përfundonin në ambientet e Xhamisë së Namazgjasë.

Në një orar të ngarkuar, ku qindra besimtarë kishin shkuar në xhami për të falur Namazin e tervavive në kuadër të muajit të shenjtë të Ramazanit, një situatë kaotike u krijua në objektin e kultit.

Lidhur me ngjarjet e mbrëmjes së djeshme ka reaguar ashpër Komuniteti Mysliman i Shqipërisë, që e konsideron të pajustifikueshëm lëndimin e besimtarëve që po kryenin ritet fetare.

“Komuniteti Mysliman i Shqipërisë ka ndjekur me vëmendje ngjarjen e ndodhur mbrëmjen e djeshme pranë Xhamisë së Namazgjasë, në një kohë kur besimtarët po falnin namazin e Teravive. Shprehim indinjatën tonë të thellë për lëndimin e pajustifikuar të besimtarëve, të cilët ndodheshin në ambientet e xhamisë për të kryer ritet e tyre fetare në paqe dhe qetësi”, thuhet në njoftim.

KMSH nënvizon se kanë qenë gjithmonë një faktor i matur dhe i përmbajtur në qëndrimet dhe reagimet publike, megjithatë kjo maturi sipas institucionit “nuk duhet të keqinterpretohet si tolerim i shkeljes së të drejtave dhe lirive kushtetuese të besimtarëve”.

Komuniteti Mysliman kërkon si nga policia edhe prej protestuesve dhe Partisë Demokratike që të shmangin përfshirjen e besimtarëve në situata të rënda konfliktuale si ajo e mbrëmjes së 20 shkurtit dhe të tregojnë maturi me veprimet e tyre.

“Në këtë kuptim, dënojmë me vendosmëri incidentin e ndodhur më 20 shkurt 2026 pranë Xhamisë së Namazgjasë, ku besimtarë të pafajshëm u lënduan pa asnjë shkak. U bëjmë thirrje të gjithë aktorëve të përfshirë që të tregojnë maturi, përgjegjësi dhe vetëpërmbajtje, në mënyrë që veprimet e tyre të mos cenojnë të drejtat dhe liritë e besimtarëve tanë apo të çdo qytetari tjetër”, theksohet në njoftim.

Kujtojmë se teksa protesta ende nuk ishte mbyllur mbrëmjen e djeshme, kreu i Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi e akuzoi Policinë e Shtetit se kishte hedhur gaz lotsjellës në ambientet e Xhamisë së Namazgjasë.

Bardhi e cilësoi të rëndë këtë veprim të forcave të rendit dhe cenim të hapur të lirisë së besimit, pasi po pengonte besimtarët myslimanë të kryenin ritet e tyre pas iftarit.

“Hedhja e gazit lotsjellës brenda xhamisë, në një moment kur nuk ka asnjë protestues, përbën një akt të rëndë dhe të papranueshëm. Është një cenim i hapur i lirisë së besimit dhe një përpjekje brutale për të penguar besimtarët myslimanë të kryejnë ritet e tyre pas iftarit. E dënoj me forcën më të madhe këtë veprim, që i ngjan praktikave të një regjimi represiv dhe bie ndesh me çdo standard demokratik. Sot, 35 vite nga rrëzimi i bustit të diktatorit, është e papranueshme që në këtë vend të përdoren metodat diktatoriale të regjimit komunist. Bustin e rrëzuam 3 dekada më parë, prandaj frikën dhe dhunën nuk do t’i lejojmë të ngrihen sërish”, u shpreh Bardhi.

Në mbyllje të protestës, kryedemokrati Sali Berisha u tregua edhe më i ashpër, teksa iu drejtua kryeministrit Edi Rama dhe Policisë së Shtetit me fjalët “Zoti i vraftë”, teksa i referohej incidentit me gaz lotsjellës në ambientet e xhamisë.

“Sot besimtarët myslimanë, pas iftarit, agjërimit dhe iftarit, Zoti jua pranoftë, janë kthyer në xhami, janë kthyer në xhami për të falur namazin, për të vazhduar lutjen ndaj të gjithëfuqishmit, ndaj Allahut të madh.  Me qëllim që territori i xhamisë të mos përfshihet nga asnjë lloj përballje, forcat e kryengritësve të armatosur devijuan në rrugën tjetër, në krah të kundërt. Por kjo nuk mjaftoi.  Banditë me uniformë, që i kemi filmuar dhe do t'jua çojmë dhe ju të gjitha videot, kanë hedhur bomba tymuese dhe bombola gazi në katër të ndryshme të xhamisë në një kohë kur besimtarët po faleshin. E mbushën xhaminë me gaz lotsjellës. Zoti i vraftë për këtë, për këtë krim të shëmtuar, për këtë krim të shëmtuar. Janë pasardhës të denjë të etërve të tyre barbarë. Edhe njëherë, u bëj thirrje besimtarëve myslimanë të dënojnë këtë akt të shëmtuar dhe i garantoj se protesta jonë, kryengritja jonë paqësore nuk do të ndalet, por do bëj gjithçka që në territorin, në afërsi të përjashtojë çdo veprim, çdo ballafaqim, çdo kacafytje me kundërshtarin, vetëm e vetëm që ata të mos mund t'ju prishin namazin. Sot i kanë nxjerrë, i kanë nxjerrë me gaz nga xhamia dhe ne i kemi të filmuar”, deklaroi Berisha nga selia blu.

Akuzave të opozitës së Xhamia e Namazgjasë u sulmua nga policia me gazlotsjellës, iu përgjigj kryeministri Edi Rama me një postim në rrjetet sociale, ku pretendon se kanë qenë molotovët e protestuesve ato që mbuluan me tym objektin e kultit.

““Kur mortja e shtyn qenërinë tek dera e xhamisë…”, shkroi Rama përkrah një fotoje që tregon protestuesit dhe tymin që u ngrit para xhamisë së Namazgjasë, duke kritikuar ashpër sjelljen e pjesëmarrësve në protestë.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)