Draft-raporti për progresin e Shqipërisë në procesin e integrimit europian u prezantua këtë të enjte, më datë 26 shkurt, në Komisionin për Punët e Jashtme të Parlamentit Europian. Raportuesi për Shqipërinë, Andreas Schieder, shprehu shqetësim për klimën politike në vend, duke theksuar se kohët e fundit është vërejtur një radikalizim i fortë i debatit politik.
“Klima politike nuk është më e mira e mundshme. Ka shqetësime për zgjedhjet, për dyshime për blerje votash, si dhe për mungesë bashkëpunimi politik. Javët e fundit kemi parë një radikalizim të fortë, me zhvendosjen e politikës nga Parlamenti në rrugë. Korrupsioni mbetet një sfidë madhore që kërkon adresim. Objektivi për vitin 2027 është i arritshëm nëse fokusohemi te mbyllja e kapitujve”, deklaroi Schieder.
Hapat përpara të Shqipërisë në hapjen e negociatave janë vlerësuar nga Kryetari i Komisionit për Punët e Jashtme, David McAllister, që gjithsesi theksoi se përpjekjet duhet të intensifikohen. Sipas tij, në procesin e anëtarësimit nuk mjaftojnë vetëm ligjet, por edhe zbatimi i tyre, teksa e cilësoi dhunën si një fenomen të papranueshëm në një shoqëri demokratike.
“Ne mbështesim ecurinë e Shqipërisë, duhet më tepër punë, sepse vendi po hyn në fazë të rëndësishme. Procesi është strikt dhe bazohet në meritë. Miratimi i legjislacionit nuk është i mjaftueshëm, duhen ndryshime konkrete dhe implementimi i tyre. Protestat e dhunshme nuk janë të pranueshme në një shoqëri demokratike”, tha McAllister.
Eurodeputeti Thomas Waitz u ndal te reforma në drejtësi, duke vlerësuar punën e Prokurorisë së Posaçme. Sipas tij, fakti që SPAK ka hetuar dhe arrestuar zyrtarë të nivelit të lartë tregon kapacitet dhe përbën një sinjal pozitiv për pavarësinë e drejtësisë. Parlamenti Europian miratoi raportin e fundit për Shqipërinë më 9 korrik 2025, me 502 vota pro nga 689 eurodeputetë të pranishëm.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)