SPAK ka përfunduar hetimet për një grup kriminal të dyshuar për trafikimin e kokainës nga Amerika Latine drejt Shqipërisë, duke i komunikuar personave të arrestuar në nëntor 2024.
Sipas SPAK, të dyshuar për këtë veprimtari kriminale janë shtetasit shqiptarë Geis Gejsullai, Klajd Birçe, Aldi Zonja, Artion Çaushllari, Endi Sejdini, Ismail Abdurrahmani dhe Baki Huqi, si edhe tre shtetas të huaj, dy venezuelianë dhe një kolumbian.
Hetimet për trafikun e kokainës nisën pas një indicieje për ekzistencën e një laboratori droge në Frakull të Fierit. Gjatë operacionit policor, pranë banesës së ish-funksionarit vendor Viktor Çervanaku, u zbuluan dhe sekuestruan 485 kilogramë kokainë, të fshehura brenda plehrave kimikë.
Në vijim të hetimeve, Prokuroria e Posaçme e ndau çështjen në fraksione dhe arriti të identifikojë një tjetër grup kriminal, i cili dyshohet se transportonte kokainën nga Amerika Latine drejt Shqipërisë përmes lëkurëve të kafshëve.
SPAK pritet të dërgojë çështjen për gjykim, ndërsa të dyshuarit përballen me akuza të rënda për trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike dhe pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)