Dhunimi i avokatit të njohur Kujtim Cakrani gjatë ditës së sotme në Vlorë ka nxitur një reagim të ashpër nga klienti i tij, ish-Presidenti Ilir Meta.
Nga qelia, përmes një postimi në rrjetet sociale, Meta ka dënuar sulmin ndaj avokatit dhe u ka bërë thirrje autoriteteve që të veprojnë për të vendosur agresorët përpara ligjit.
“Dënoj me ashpërsi sulmin ndaj Avokatit Kujtim Cakrani nga dy banditë, të cilët jo vetëm duhet të identifikohen, por edhe të vendosen para ligjit sa më shpejt. Nuk është hera e parë, që sulmohen avokatët sepse jetojmë në një regjim ku ata konsiderohen jo vetëm të panevojshëm, por edhe problematikë. Solidaritetin tim të plotë me Avokatin Cakrani, me familjen e tij, si edhe me të gjithë kolegët”, tha Meta.
Edhe kryedemokrati Sali Berisha e ka dënuar ashpër sulmin ndaj Cakranit, duke e cilësuar si një “akt kriminal shtetëror të shëmtuar”. Sipas Berishës detyra e tij si avokat është bërë shkak që të dhunohet shtazërisht.
“Dhunimi i Avokatit Kujtim Cakrani, një akt kriminal shtetëror i shëmtuar. Të dashur miq, sot avokati i mirënjohur Kujtim Cakrani që sot është dhe avokati i ish-Presidentit dhe kryetarit të Partisë së Lirisë, Ilir Meta goditet shtazërisht pa asnjë shkak, por vetëm e vetëm për shkak të detyrës dhe shtrohet në spital me fraktura në kokë”, shkruan Berisha në rrjetin social Facebook.
Në vijim, në emër të PD, Berisha i uron shërim të shpejtë avokatit dhe akuzon kryeministrin Edi Rama si sponsorizues të dhunës ndaj drejtësisë.
“Partia Demokratike i uron shërim të shpejtë dhe të plotë Avokatit Kujtim Cakrani, dënon me forcën më të madhe këtë akt shtazor si një krim të shëmtuar të parapregatitur shtetëror të frymëzuar dhe sponsorizuar nga Edi Rama dhe organizata e tij kriminale dhe ju rikujton atyre se përgjegjësia direkte është e tyre dhe se drejtësia vonon por nuk harron”, shprehet Berisha.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)