Ilir Meta do të vijojë të qëndrojë në burg. Gjykata e Posaçme ka refuzuar sërish kërkesën e liderit të Partisë së Lirisë, për zëvendësimin e masës së sigurisë “arrest në burg” me një masë më të lehtë. Ky vendim vjen pas një kërkese të avokatëve të Metës për të liruar atë nga qelia, duke argumentuar se nuk ka bazë ligjore për mbajtjen e tij në burg.
Pas vendimit të GjKKO-së, avokati i Metës, Kujtim Cakrani, foli për mediat duke shprehur zhgënjimin e tij dhe theksoi se gjykata nuk i dha Metës të drejtën proceduriale dhe ligjore për të vijuar gjykimin në një masë tjetër sigurimi. "Kisha një farë shprese, sepse besoj te gjykata. Por mendova se viti i ri do të kishte sjellë reflektim dhe se gjykata do ta nisë mbarë, duke i dhënë të drejtën ligjore presidentit të Partisë së Lirisë", tha Cakrani.
Një nga arsyet kryesore që ai përmendi për refuzimin e kërkesës ishte fakti se Meta nuk mund të ofrojë garanci pasurore për të dalë nga burgu, pasi, sipas tij, "ai nuk disponon pasuri". Cakrani shtoi se edhe pse ish-presidenti dhe ish-kryeministri nuk mund të ofronte asnjë garanci pasurore, ai ishte i gatshëm të përdorte pasuritë e tij për të ndihmuar në lirimin e klientit të tij.
Në një pjesë të fjalës së tij, avokati i Metës përmendi edhe kallëzimin penal që ata kanë bërë kundër Drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve, duke e akuzuar se po pengonte të drejtën e Metës për të ushtruar funksionin e tij politik si kryetar i Partisë së Lirisë dhe ish-president i vendit. Cakrani theksoi se ky veprim ishte një shkelje e të drejtave të Metës. Avokati mohoi gjithashtu mundësinë e ankimimit të Avokati i Popullit, duke i cilësuar pyetjet si “humor”.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)