Apeli lë në fuqi dënimin, dërgon një vit në qeli kryebashkiakun e Rrogozhinës

Apeli i GJKKO ka lënë në fuqi vendimin e marrë më 24 janar të vitit të kaluar për kryebashkiakun socialist të Rrogozhinës, Edison Memolla, i cili u gjet fajtor për akuzën e “Korrupionit aktiv në zgjedhje”.

09.02.2026. 13:57

Apeli lë në fuqi dënimin, dërgon një vit në qeli kryebashkiakun e Rrogozhinës

Kryebashkiaku i Rrogozhinës, Edison Memolla do të duhet të qëndrojë një vit pas hekurave, pasi Apeli i Gjykatës së Posaçme konfirmoi këtë të hënë dënimin me një vit burg, të caktuar nga Shkalla e Parë.

Apeli la në fuqi vendimin e marrë më 24 janar të vitit të kaluar për kryebashkiakun socialist, i cili u gjet fajtor për akuzën e “Korrupionit aktiv në zgjedhje”.

Gjykata po ashtu ka vendosur t’i heqë Memollës të drejtën për ushtrimin e detyrës për një periudhë 5 vjeçare.

Memolla kishte ankimuar vendimin e Shkallës së Parë të GJKKO dhe prej asaj kohe vijonte të qëndronte në detyrë.

Kryebashkiaku i Rrogozhinës, akuzohet se në zgjedhjet e pjesshme vendore të marsit 2022, i ka kërkuar një elektriçisti të zonës së tij elektorale, Blerim Xhamanit, që të mos i ndërpresë energjinë një abonenti i cili ishte debitor, në mënyrë që të votonte në favor të tij në zgjedhje.

Po ashtu sipas SPAK, Memolla ka biseduar me elektriçistin dhe për punësime në Bashkinë e Rrogozhinës, në këmbim të votës.

Përveç kryebashkiakut, GJKKO dënoi me 1 vit burg Blerim Xhamanin, dhe me 8 muaj burg të konvertuar në 1 vit e 4 muaj shërbim prove një tjetër elektriçist, Isuf Tosku.

Xhamani akuzohej për “korrupsion aktiv në zgjedhje” dhe "Falsifikim të dokumentave”, ndërsa Tosku për “Flasifikim të dokumentave”.

“Të dy rezultojnë të kenë “falsifikuar të dhënat në procesverbalin e ndërprerjes së energjisë elektrike, duke paraqitur të dhëna të rreme, pasi nuk ia kanë ndërprerë faktikisht energjinë elektrike abonentit debitor”, thuhet në dosjen e SPAK.

Po ashtu, nën akuzën “korrupsion në zgjedhje”, është dënuar me një vit burgim dhe një person i katërt, Ndriçim Tafxhafa, i cili sipas hetimeve “i kishte premtuar një shtetaseje shlyerjen e detyrimeve për energjinë elektrike dhe për strehim, duke i kërkuar të votonte në favor” të kandidatit socialist.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)