Dosja e atentatit me dy viktima në Rinas i kalon SPAK, Prokuroria shpall moskompetencë

Dyshohet se ngjarja ku mbeti i vrarë krahu i djathtë i Emiljano Shullazit është kryer në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal, çështja i përket juridiksionit të Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

13.02.2026. 11:20

Dosja e atentatit me dy viktima në Rinas i kalon SPAK, Prokuroria shpall moskompetencë

Hetimet për atentatin e ndodhur pranë aeroportit të Rinasit, ku humbën jetën Gilmando Dani dhe efektivi i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, Muçi Shaljani alias “Sheqeri”, do të vijojnë tashmë nga SPAK. Prokuroria e Tiranës ka shpallur moskompetencë, pasi dyshohet se ngjarja është kryer në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal.

Pas verifikimeve të kryera në fazën paraprake, organi i akuzës ka vlerësuar se çështja i përket juridiksionit të Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, duke i kaluar zyrtarisht dosjen këtij institucioni. Atentati ndodhi më 11 nëntor 2025.

Mjeti me të cilin udhëtonin viktimat u qëllua me armë zjarri pranë Rinasit. Gilmando Dani, i njohur edhe si krahu i djathtë i Emiljano Shullazit humbi jetën në vend, ndërsa agjenti i AMP-së që e shoqëronte, Muçi Shaljani ndërroi jetë disa ditë më vonë në spital si pasojë e plagëve të marra. SPAK pritet të vijojë hetimet për identifikimin e autorëve dhe dokumentimin e plotë të ngjarjes.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)