Një rast korrupsioni në sistemin penitenciar ka marrë fund me një vendim nga Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, e cila shpalli fajtor ish-shefin e regjimit në burgun e Lushnjes, Irakli Leka.
Sipas vendimit, Leka është dënuar për veprën penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 259/2 i Kodit Penal. Ai u dënua fillimisht me 3 vite e 3 muaj burg, por për shkak të gjykimit të shkurtuar dënimi iu ul në 2 vite e 2 muaj.
Irakli Leka u arrestua në shtator 2025, pasi akuzohej se kishte marrë 700 euro nga një i burgosur në këmbim të dhënies së një lejeje të përkohshme. Çështja u referua në gjykatë nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Gjykata vendosi pezullimin e ekzekutimit të dënimit me burg, duke e vënë të pandehurin në shërbim prove për 2 vite, me kusht që të mos kryejë tjetër vepër penale dhe të mbajë kontakte me Shërbimin e Provës. Po ashtu, u shfuqizua masa e “arrestit në shtëpi”.
Si masë plotësuese, Lekës iu hoq e drejta për të ushtruar funksione publike për 5 vite. Vendimi mund të ankimohet brenda 15 ditëve në Apelin e Posaçëm.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)