Dosja ‘5D’, SPAK kërkon 24 vite burg për tre ish-drejtorë të Bashkisë së Tiranës

SPAK ka dhënë pretencën për 7 të pandehur të dosjes “5D” duke kërkuar dënimin me 39 vite burg në total.

17.02.2026. 10:55

Dosja ‘5D’, SPAK kërkon 24 vite burg për tre ish-drejtorë të Bashkisë së Tiranës

Prokuroria e Posaçme ka dhënë pretencën për një tjetër fraksion të Dosjes “5D”, duke kërkuar në total 39 vite burg për 7 të pandehur, mes tyre 3 ish-drejtorë të Bashkisë së Tiranës.

Prokuroria kërkon 11 vite burg për Redi Mollën, 9 vite për Mariglen Qaton dhe 4 vite për Taulant Tushen.

Për të pandehurit e tjerë u kërkuan: 7 vite për Nestor Muhametllarin, 3 vite burg për Enton Punavijan dhe Julian Zanaj, si dhe 2 vite për Albano Jankun.

SPAK kërkoi gjithashtu ndalimin e ushtrimit të funksioneve publike për 5 vite për të gjithë zyrtarët e lartëpërmendur.

Sipas akuzës, Redi Molla dhe Mariglen Qato kanë qenë pronarë “de facto” të shoqërisë “5D Konstruksion” sh.p.k., duke përdorur pronarë fiktivë. Vetëm në këtë dosje, kompania dyshohet se ka përfituar 12 tendera me vlerë rreth 2 milionë euro gjatë viteve 2016–2020.

Të pandehurit akuzohen për korrupsion, pastrim parash dhe mosdeklarim pasurie, por aktualisht, Mariglen Qato është i vetmi nga ish-zyrtarët që ndodhet në burg.

Më herët, Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dënoi katër të pandehur të tjerë në një proces të ndarë për shkelje të barazisë në tendera, duke i dënuar me shërbim prove. Sipas SPAK, ata kishin krijuar kushte për të favorizuar kompaninë “5D” në procedurat e prokurimit.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)