Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj kërkon zbutjen e masës “arrest me burg” dhe zëvendësimin e saj me një masë më të lehtë. Ankimimi është paraqitur këtë të mërkurë, më datë 18 shkurt, në Apelin e Posaçëm. Aty është kundërshtuar vendimi i Gjykatës së Shkallës së Parë, e cila më 1 shkurt vendosi vijimin e masës së sigurisë “arrest në burg”.
Vendimi fillestar u mor nga gjyqtarja Etleva Deda, e cila vlerësoi se ishin të plotësuara kushtet ligjore për mbajtjen e masës më të rënde të sigurimit personal. Por, në kërkesën e tij, Veliaj propozoi që arresti në burg t’i zëvendësohet një masë tjetër më të lehtë, duke përfshirë edhe garanci pasurore ose masa të tjera sipas Kodit të Procedurës Penale, me përjashtim të izolimit në qeli.
Sipas avokatëve mbrojtës të kryebashkiakut të Tiranës, tashmë situata ka ndryshuar pasi çështja ka kaluar në gjykim dhe provat janë administruar, duke reduktuar rrezikun e prishjes apo manipulimit të tyre. Përfaqësuesit e Veliajt theksojnë gjithashtu se nuk ekziston rrezik arratisjeje apo ndikimi mbi palët e tjera në proces, dhe kërkojnë që gjykata të marrë parasysh edhe statusin dhe funksionin publik të kryebashkiakut.
Apeli i Posaçëm ka regjistruar kërkesën dhe ka caktuar gjyqtaren Nertina Kosova për shqyrtimin e saj. Seanca pritet të zhvillohet më 24 shkurt, ku trupi gjykues do të dëgjojë argumentet e palëve dhe do të vendosë nëse masa e sigurisë do të ndryshohet, duke marrë parasysh rrezikun e arratisjes, ndikimin në proces dhe proporcionalitetin me nevojat e hetimit.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)