Gjykata e Shkallës së Parë Fier ka dënuar me nga 25 vite burg secilin, Laert Hasallën dhe Mariglen Matjanin, të shpallur fajtorë për një atentat të ndodhur në mars të vitit 2023 në zonën e Lushnjës.
Sipas vendimit, dy të pandehurit u gjetën fajtorë për veprën penale “Vrasja në rrethana cilësuese”, e kryer në bashkëpunim dhe e mbetur në tentativë, në mënyrë të rrezikshme për jetën e shumë personave, si edhe për “Mbajtjen pa leje dhe prodhimin e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.
Ngjarja për të cilën u dënuan ndodhi më 30 mars 2023, rreth orës 16:00, në vendin e quajtur “Pisha”, në fshatin Garunjë të Lushnjës. Sipas Prokurorisë, atentati u organizua për motive gjakmarrjeje.
Nga hetimet dhe gjykimi rezultoi se Laert Hasalla, “me qëllim për t’u hakmarrë ndaj vrasjes së vëllait të tij Romeo Hasalla, ka bashkëpunuar me Mariglen Matjanin, të cilin e ka porositur për eliminimin fizik të shtetasit Marjus Hasalla”.
Sipas trupit gjykues, Mariglen Matjani, pasi u informua për targën e automjetit me të cilin lëvizte shënjestra, “ka siguruar armën e zjarrit, ka përgatitur vendin nga do të shtinte dhe ka qëlluar njëmbëdhjetë herë në drejtim të mjetit”.
Objektiv i atentatit ishte Marjus Hasalla, por ai arriti t’i shpëtojë sulmit duke shtuar shpejtësinë e automjetit. “Si pasojë e të shtënave ka mbetur e plagosur shtetasja B.S. pasagjere në vendin e parë të mjetit”, theksohet në vendim.
E plagosura është Bajame Seneja, halla e shënjestrës, e cila ndodhej në automjet në momentin e sulmit. Gjykata vlerësoi se të shtënat me 11 plumba në një zonë të banuar përbënin rrezik serioz jo vetëm për objektivin, por edhe për persona të tjerë të pranishëm në zonë, duke e cilësuar veprën si të kryer “në mënyrë të rrezikshme për jetën e shumë personave”.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)