Aksident tragjik në Itali, humb jetën shqiptarja, motra e saj dhe bashkëshorti në gjendje kritike

Ajo po udhëtonte me një automjet tip ‘Ford station wagon’, së bashku me partnerin e saj 49-vjeçar, djalin 10-vjeçar të këtij të fundit dhe motrën e saj 47-vjeçare. Familja ishte duke u kthyer nga pushimet e Pashkëve në Siçili.

08.04.2026. 16:24

Aksident tragjik në Itali, humb jetën shqiptarja, motra e saj dhe bashkëshorti në gjendje kritike

Një aksident i rëndë rrugor ka ndodhur në Itali, ku një grua shqiptare ka humbur jetën dhe dy persona të tjerë ndodhen në gjendje kritike.

Viktima është identifikuar si 62-vjeçarja Merita Qemali. Ngjarja tragjike u regjistrua rreth mesnatës së së martës në autostradën A14, në zonën mes Ancona Sud dhe Ancona Nord, pranë daljeve për Castelferretti dhe Chiaravalle.

Ajo po udhëtonte me një automjet tip ‘Ford station wagon’, së bashku me partnerin e saj 49-vjeçar, djalin 10-vjeçar të këtij të fundit dhe motrën e saj 47-vjeçare. Familja ishte duke u kthyer nga pushimet e Pashkëve në Siçili dhe ndodhej vetëm pak minuta larg banesës kur ndodhi përplasja fatale.

Sipas informacioneve paraprake, automjeti i tyre është përplasur me një kamion brenda tunelit Montedomini. Dyshohet se kamioni, i drejtuar nga një shtetase rumune, po lëvizte me shpejtësi të ulët për shkak të një problemi teknik, konkretisht një gome të shfryrë.

Përplasja ka qenë shumë e fortë, duke shkatërruar pjesën e përparme të makinës. Si pasojë, dy nga pasagjerët mbetën të bllokuar në automjet dhe u nxorën nga forcat zjarrfikëse.

Shoferi 49-vjeçar është transportuar me urgjencë në spitalin e Torrette, ku i është nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale dhe ndodhet në gjendje kritike. Në gjendje të rëndë paraqitet edhe motra e viktimës, e cila gjithashtu është operuar, ndërsa fëmija 10-vjeçar ka shpëtuar pa rrezik për jetën.

Autoritetet italiane kanë nisur hetimet për të zbardhur plotësisht shkaqet e aksidentit. Ende mbetet e paqartë nëse kamioni kishte sinjalizimin e duhur, si dhe nëse ndalimi apo lëvizja e tij në tunel është bërë në përputhje me rregullat e sigurisë rrugore.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)