Konflikti për beach-barin në Himarë përfundoi me vrasjen e biznesmenit, arrest në burg për 31-vjeçarin

Sipas policisë, konflikti ka nisur me sende të forta, ndërsa më pas situata është përshkallëzuar në përdorim armësh zjarri. Dyshohet se gjatë sherrit, Rexhep Ismaili ka marrë një armë automatike dhe ka qëlluar në drejtim të personave të përfshirë në konflikt.

11.05.2026. 18:11

Konflikti për beach-barin në Himarë përfundoi me vrasjen e biznesmenit, arrest në burg për 31-vjeçarin

Një konflikt i hershëm për pronësinë e një beach-bari në bregdetin e Himarës dyshohet se çoi në ngjarjen e rëndë të ndodhur mbrëmjen e 7 majit në fshatin Gjashtë të Sarandës, ku humbi jetën 66-vjeçari Rexhep Ismaili.

Për këtë çështje, Gjykata e Sarandës ka vendosur ditën e sotme masat e sigurisë ndaj dy personave të përfshirë në konflikt. Seanca e parë u zhvillua ndaj 50-vjeçarit Tori Ruçi (alias Viktor Ruçi), i cili akuzohet për veprën penale “Moskallëzim i krimit”. Gjyqtari Mikel Hysometaj vendosi vijimin e masës së sigurisë “Arrest në shtëpi”, duke e detyruar Ruçin të qëndrojë në banesën e tij në fshatin Gjashtë.

Më pas, prokurorja Armida Kaçi dhe gjyqtari Hysometaj u zhvendosën në spitalin “Petro Nako” të Sarandës, ku ndodhet i shtruar nën masa sigurie 31-vjeçari Kostandin Vogli, i cili mbeti i plagosur me armë zjarri në këmbë gjatë ngjarjes.

Ndaj Voglit, Prokuroria ka ngritur akuzat për “Moskallëzim të krimit”, “Shkatërrim prone” dhe “Kanosje”, të kryera në bashkëpunim. Gjykata pranoi kërkesën për caktimin e masës “Arrest në burg”.

Megjithatë, trupa gjykuese mbajti një tjetër qëndrim sa i përket cilësimit juridik të ngjarjes. Sipas Gjykatës, bazuar në provat e administruara deri tani, ngjarja duhet të hetohet si “Vrasje me dashje”, kryer në bashkëpunim dhe mbetur në tentativë, si edhe për veprat e tjera penale të ngritura nga Prokuroria.

Si ndodhi ngjarja?

Drejtori i Policisë së Vlorës, Elidon Çela dha detaje mbi ngjarjen e rëndë të ndodhur mbrëmjen e 7 majit në Sarandë, ku mbeti i vrarë 66-vjeçari Rexhep Ismaili dhe u plagos Kostandin Vogli, ky i fundit u vetëdorëzua në polici dhe ndodhet në spitalin e Vlorës për të marrë ndihmë mjekësore.

Sipas deklaratës së policisë, ngjarja ndodhi rreth orës 21:30 në lokalin në pronësi të viktimës, në kryqëzimin e fshatit Gjashtë. Hetimet e kryera nga strukturat e Policisë së Sarandës, nën drejtimin e Prokurorisë, kanë bërë të mundur identifikimin e autorit të dyshuar dhe zbardhjen paraprake të dinamikës së konfliktit.

Nga veprimet hetimore rezulton se disa persona, konkretisht Lulzim Tabaku, Idriz Çela, Eljo Muço, Kostandin Vogli, Marjo Agalliu dhe Ermal Shkalla, kanë shkuar në lokalin e viktimës dhe janë konfliktuar me persona që ndodheshin në tavolinë me Rexhep Ismailin dhe Tori Ruçin.

Sipas policisë, konflikti ka nisur me sende të forta, ndërsa më pas situata është përshkallëzuar në përdorim armësh zjarri. Dyshohet se gjatë sherrit, Rexhep Ismaili ka marrë një armë automatike dhe ka qëlluar në drejtim të personave të përfshirë në konflikt.

Në vijim, Lulzim Tabaku dyshohet se ka reaguar duke qëlluar me armë pistoletë ndaj 66-vjeçarit, i cili humbi jetën në vendngjarje.

Gjatë shkëmbimit të zjarrit mbeti i plagosur në këmbë edhe Kostandin Vogli, i cili ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Policia bëri të ditur se ai është shoqëruar dhe do t’i nënshtrohet procedurave penale.

Pas ngjarjes, autorët janë larguar nga vendi i krimit. Hetimet kanë zbuluar gjithashtu se vëllai i viktimës, Hajredin Ismaili, dyshohet se ka fshehur armën automatike të përdorur gjatë konfliktit, së bashku me një krehër me 21 fishekë. Arma është gjetur dhe sekuestruar nga policia si provë materiale.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)