Lobimi 1 milion dollarë për një foto me Trump, Meta: Akuza e SPAK që çoi në rrëmbimin tim u rrëzua

Në reagimin e publikuar në Facebook, Meta pretendoi se prokuroria hoqi dorë nga akuza për lobimin e pretenduar prej 1 milion dollarësh për një fotografi me presidentin amerikan Donald Trump.

11.05.2026. 21:00

Lobimi 1 milion dollarë për një foto me Trump, Meta: Akuza e SPAK që çoi në rrëmbimin tim u rrëzua

Procesi gjyqësor për aferën CEZ-DIA vijoi këtë të hënë në Gjykatën e Posaçme, mes debateve për transparencën e seancës dhe akuzave të forta politike nga ish-Presidenti, Ilir Meta.

Pas përfundimit të seancës, Meta reagoi publikisht duke deklaruar se akuza kryesore e ngritur ndaj tij nga SPAK “u rrëzua nga vetë Prokuroria”.

Në reagimin e publikuar në Facebook, Meta pretendoi se prokuroria hoqi dorë nga akuza për lobimin e pretenduar prej 1 milion dollarësh për një fotografi me presidentin amerikan Donald Trump.

“Sot, në seancën radhës të gjykimit në themel, vetë Prokuroria rrëzoi akuzën kryesore ndaj meje për gjoja lobimin 1 milion USD për një foto me Presidentin Trump”, shkroi Meta.

Sipas tij, prokurori në sallë ka pranuar se bëhet fjalë vetëm për një pagesë prej 15 mijë dollarësh ndaj kompanisë McKeon Group, pagesë që ai pretendon se e ka deklaruar publikisht dhe në SPAK prej vitesh.

“Akuzë mbi të cilën u mbështet rrëmbimi dhe izolimi im politik prej 19 muajsh, akuzë që sot u rrëzua nga vetë Prokuroria. Durim! Edhe akuzat e tjera do të çmontohen njëra pas tjetrës”, deklaroi Meta.

Ndërkohë, gjatë seancës, Monika Kryemadhi kërkoi që t’i vihen në dispozicion të gjitha përgjimet ambientale dhe telefonike të administruara nga SPAK në kuadër të hetimeve.

Në të njëjtin proces do të gjykohen edhe tre të pandehur të tjerë, të cilët kishin kërkuar gjykim të shkurtuar dhe dosja e tyre është ndarë më vete nga trupi gjykues, ndërsa ish-çifti i bashkëshortëve, Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi, do të gjykohen së bashku pas divorcit.

Ish-presidenti, i cili u paraqit sërish në sallë brenda kafazit të qelqtë, situatë që sipas mbrojtjes së tij cenon dinjitetin njerëzor, kundërshtoi edhe një herë akuzat për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie. Gjykata refuzoi kërkesën e avokatëve për transmetim live të seancës, me argumentin se kjo mund të krijojë presion publik dhe mediatik mbi procesin.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)