“45% e fëmijëve të zhytur në varfëri”, Bozdo për rritjen e çmimeve: Tregoni sa jahte janë furnizuar pa akcizë

Duke folur për naftën dhe taksat, Bozdo kritikoi edhe strukturën fiskale, duke thënë se “60% e çmimit të naftës përbëhet nga taksa që merr qeveria”, dhe ngriti pyetje mbi furnizimet pa akcizë.

14.05.2026. 19:21

“45% e fëmijëve të zhytur në varfëri”, Bozdo për rritjen e çmimeve: Tregoni sa jahte janë furnizuar pa akcizë

Në Kuvend u zhvillua një interpelancë mes deputetit demokrat Eno Bozdo dhe ministres së Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj ku u diskutua rritja e çmimeve dhe ndikimi i saj në ekonominë e vendit. Bozdo akuzoi qeverinë se ka qëndruar pasive përballë krizës së çmimeve, duke e lidhur situatën me rritjen e kostos së jetesës dhe ndikimin në sektorët bazë të ekonomisë.

“Gjermania ka miratuar një paketë prej 1.6 miliardë eurosh, duke ulur taksën e energjisë dhe Taksën mbi Vlerën e Shtuar për të mbrojtur konsumatorët. Italia po shpërndan kartën e dedikuar me rreth 500 euro për familjet në nevojë dhe ka ulur akcizën e karburanteve me një kosto prej 500 milionë eurosh”, tha deputeti demokrat.

Në fjalën e tij, Bozdo ngriti shqetësimin për nivelin e varfërisë dhe fuqinë blerëse, duke deklaruar: “45% e familjeve shqiptare me fëmijë jetojnë me rrezik varfërie apo përjashtimi social”. Ai shtoi gjithashtu se “fuqia blerëse e shqiptarëve është më e ulëta në rajon dhe BE”, ndërsa çmimet janë afruar më shpejt me ato të BE-së sesa të ardhurat.

Duke folur për naftën dhe taksat, Bozdo kritikoi edhe strukturën fiskale, duke thënë se “60% e çmimit të naftës përbëhet nga taksa që merr qeveria”, dhe ngriti pyetje mbi furnizimet pa akcizë. “Sa jahte janë furnizuar? Sa qindra, mijëra litra apo ton naftë furnizohen pa akcizë? Tregojani shqiptarëve”, deklaroi ai.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)