Gjykata e Lartë lë në fuqi dënimet për grupin e Shullazit

Në vendimin përfundimtar, Emiljano Shullazi është dënuar me 14 vite burg, ndërsa Endrit Qyqja dhe Endrit Zela me nga 10 vite burg secili.

27.05.2026. 10:49

Gjykata e Lartë lë në fuqi dënimet për grupin e Shullazit

Gjykata e Lartë ka lënë në fuqi vendimin e Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, duke konfirmuar dënimet për Emiljano Shullazi dhe grupin e tij, të akuzuar për gjobëvënie dhe krijim të një grupi të strukturuar kriminal.

Sipas vendimit të dhënë në dhomë këshillimi nga gjyqtarët Ilir Panda, Genti Shala dhe Enton Dhimitri, është konfirmuar në total dënimi prej 55 vitesh burg për 5 të pandehurit në këtë dosje.

Në vendimin përfundimtar, Emiljano Shullazi është dënuar me 14 vite burg, ndërsa Endrit Qyqja dhe Endrit Zela me nga 10 vite burg secili. Blerim Shullazi është dënuar me 9 vite burg.

Për Gilmando Danin, i cili më herët ishte dënuar me 12 vite burg, Gjykata e Lartë ka vendosur mospranimin e rekursit, pasi ai ka ndërruar jetë.

Dani, i cili më pas ishte liruar, u vra në një atentat mafioz në nëntor të vitit 2025 pranë rrethrrotullimit të Rinasit, së bashku me agjentin e Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, Mustafa Sheqeri.

Ndërkohë, Emiljano Shullazi vijon të qëndrojë në burg edhe për dy çështje të tjera të hetuara nga SPAK. Një prej tyre lidhet me dosjen e njohur si “Asgjë nuk harrohet”, që ka të bëjë me vrasjet e vitit 2005 të Vajdin Lames dhe Klodian Saliut, ndërsa çështja tjetër, e koduar “Revanshi”, përfshin akuzat për sigurim kushtesh për vrasje dhe pjesëmarrje në grup kriminal.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)