Kryeministri Edi Rama zhvilloi një vizitë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, ku u njoh nga afër me situatën në shërbimin Onkologjik dhe punën e stafit mjekësor. Gjatë inspektimit, Rama vlerësoi përkushtimin e mjekëve, infermierëve dhe ekipeve të emergjencës, duke theksuar rolin jetik që ata luajnë çdo ditë në shpëtimin e jetëve dhe shërimin e pacientëve.
Sipas kryeministrit, sistemi shëndetësor shqiptar kryen rreth 60 mijë operacione të suksesshme në vit dhe mbi 35 mijë ndërhyrje kirurgjikale. Rama nënvizoi se, ndonëse ka raste që dëmtojnë reputacionin e profesionit, pjesa dërrmuese e stafit shëndetësor ushtron misionin e tij me ndershmëri dhe sakrificë.
Në fokus të vizitës ishte edhe mbështetja financiare për Onkologjikun. Rama bëri të ditur se buxheti i shëndetësisë ka marrë 50 milionë euro më shumë krahasuar me këtë vit, ndërsa 15 milionë euro shtesë janë dedikuar vetëm për barnat onkologjike. Një fond tjetër prej 15 milionë eurosh pritet të shtohet në mesin e vitit të ardhshëm për të garantuar furnizim të qëndrueshëm me barna për pacientët.
“Ka marrë 50 mln euro më shumë se sa këtë vit dhe nuk janë pak për buxhetin tonë. Ka marrë 15 mln euro ekstra vetëm për barna onkologjike dhe do të shtohet edhe një 15 mln tjetër në mesin e vitit të ardhshëm për të pasur një tjetër mbështetje. Shqetësimin do e transformoj në mënyrë që gjithë presioni me Onkologjikun në Tiranë të ndahet me rijetëzimin në spitale rajonale duke garantuar të gjithë mbulimin me barna që të jenë garanci për të gjithë pacientët në të gjithë territorin”, tha Rama.
Kryeministri paralajmëroi gjithashtu shpërndarjen e presionit nga Onkologjiku i Tiranës drejt spitaleve rajonale, përmes rijetëzimit të tyre dhe garantimit të mbulimit me barna në të gjithë territorin. Ai konfirmoi se qeveria do të vijojë rritjen e pagave për mjekët dhe infermierët, duke e cilësuar mjekësinë si një nga profesionet më të vështira, por edhe më të ndershme në shoqëri.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)