Ilir Meta ‘vesh’ ministrin Lamallari si Diella dhe denoncon kushtet në burgje: Dje kishim 3 orë ujë në ditë!

Ilir Meta në një postim nga qelia e IEPV "Jordan Misja" ka reaguar në lidhje me interpelancën e mbajtur sot me ministrin e Drejtësisë Besart Lamallari, me kërkesë të Sekretarit të Përgjithshëm të PL, Tedi Blushi.

03.02.2026. 13:46

Ilir Meta ‘vesh’ ministrin Lamallari si Diella dhe denoncon kushtet në burgje: Dje kishim 3 orë ujë në ditë!

Përgjigjet e ministrit të Drejtësisë Besfort Lamallari gjatë interpelancës në Kuvend, ku iu drejtuan akuza të ashpra nga Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, mbi kushtet në burgje, i kanë lënë shije të hidhur Ilir Metës.

Presidenti i PL reagoi nga qelia duke e ironizuar ministrin, të cilin me një foto të montuar e ka paraqitur me veshjen e ministres së shtetit për Inteligjencën Artificiale, ‘Diella’. Meta përmes postimit i kujton Lamallarit kushtet sipas tij skandaloze në IEPV-në Jordan Misja, ku dje sipas tij kishin 3 orë ujë në ditë dhe 42 herë u është shkëputur energjia elektrike.

Meta po ashtu ka ankesa për kushtet e sistemit shëndetësor në burgje dhe shprehet kritik edhe për mospagimin në kohë të gardianëve.

“Dëgjova ‘Diellën’ e Drejtësisë që fliste për situatën në burgje dhe meqë nuk e di po e njoftoj që vetëm dje ka ikur 42 herë energjia elektrike te IEPV “Jordan Misja”, jo vetëm për mua, por për rreth 500 të burgosur e të paraburgosur që ndodhen këtu. A e di “Diella” e Drejtësisë që këtu ka vetëm 3 orë ujë në ditë? A e di “Diella” e Drejtësisë që në burgje vdesin qytetarë për mungesën e trajtimit të duhur shëndetësor? A e di “Diella” e Drejtësisë që gardianët nuk kanë marrë asnjë qindarkë shpërblim për punën jashtë orarit, as ushqimin, as trajtimin që meritojnë sipas ligjit? E ç’mund të presësh nga “Diellat”? Ato janë pjellë e AKSHI-t, simbolit të korrupsionit skizofrenik. Ndërsa lidhur me respektimin e të drejtave të mia dua t’u kujtoj të gjithë qytetarëve që akoma nuk më kanë dorëzuar të zbardhur, as mua, as avokatit tim, vendimin e 2 korrikut 2025, të dënimit tim të dytë nga IEPV “Jordan Misja” për lirinë e fjalës”, shkruan Meta.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)