Blushi interpelancë për Ilir Metën: Nuk i lejohen intervistat, ministri: Nuk ka asnjë trajtim çnjerëzor

Deputeti i PL, Tedi Blushi mbajti një interpelancë me ministrin e Drejtësisë, Besfort Lamallari, e cila u fokusua te arrestimi dhe trajtimi i Ilir Metës. Anëtari i qeverisë u shpreh se nuk dëshiron të flasë për emra të përveçëm.

03.02.2026. 11:33

Blushi interpelancë për Ilir Metën: Nuk i lejohen intervistat, ministri: Nuk ka asnjë trajtim çnjerëzor

Interpelancën e kërkuar me ministrin e Drejtësisë, Besfort Lamallari, deputeti i Partisë së Lirisë e përdori për atë që ai e quan rrëmbimin e presidentit të kësaj partie Ilir Meta.

Teksa foli për kushtet e vështira në burgje për të burgosurit, paraburgosurit, Blushi përmendi edhe punonjësit e IEVP-ve, të cilët sipas tij trajtohen si skllevër.

“E kam thirrur ministrin për të dhënë llogari për një krim shtetëror të kryer me vetëdije dhe qëllim politik, atë të degradimit të sistemi petinenciar nga një institucion rehabilitimi në një makineri dhune, frike dhe terrori institucional.

Në këtë sistem, të denjë për republikat e bananeve, viktima nuk janë vetëm të paraburgosurit dhe të burgosurit, por edhe gardianët që i keni shndërruar në skllevër të një administrate kriminale që ju inkurajoni. Në këtë shtet, ku rrëmbimi i personit është kthyer në manual, narkopolicët që rrëmbejnë një minoren, shpërblehen me 300 euro, ndërsa gardianët nuk marrin shtesat dhe ushqimet që iu takojnë me ligj. Ky debat është një akt mbrojtje për të drejtat dhe liritë e njeriut, të sanksionuar në Kushtetutë dhe Konventën për të Drejtat e Njeriut.

Ky debat është i pashmangshëm përballë hipokrizisë. Në një anë shpallni amnistinë dhe në anën e tjetër miratoni burgimin për parkimin dysh. Ky është një realitet absurd dhe tronditës, kur drejtuesit e bandave enden të lirë, mes tyre dhe një killer që u largua me vrap, sepse ju ishit kujdesur që të mos ishte me pranga dhe i hapët rrugën për arratisje”, u shpreh Blushi.

Më tej, deputeti i PL u fokusua vetëm te lideri i partisë së tij, duke thënë se jemi i vetmi vend anëtar i NATO që ka të burgosur politikë.

Blushi shtoi se Ilir Meta mbahet në burg pa asnjë provë, asnjë pronë të sekuestruar dhe se po i shkelen të drejtat në burg, ku i janë refuzuar dhe takimet që ia lejon ligji.

“Sot Shqipëria mban një rekord të zi. Jemi i vetmi anëtar i NATO me të burgosur politikë. E pa gjithë bota çfarë ndodhi më 21 tetor në 2024, kur për të terrorizuar opozitarët dhe kundërshtarët, ish presidenti i Republikës, Ilir Meta, në mbrojtje nga Garda, u rrëmbye nga banditë të armatosur. Kjo qeveri që rrëmbimin e ka kthyer në manual pune, sot është dita para këtij kuvendi që të japë llogari deri në një për këtë krim shtetëror, të kryer me urdhër nga kreu i organizatës.

Prej 3 muajsh keni 9 rekomandime nga Avokati i Popullit për t’i dhënë fund trajtimit çnjerëzor të presidentit Meta, që e mbani pas hekurave pa asnjë provë, asnjë pasuri të sekuestruar. Ilir Meta qëndron në burg dhe të gjithë hajdutët janë në zyra. Kufizimi i takimeve të Ilir Metës përbën shkelje të Kushtetutës dhe të Konventës për të Drejtën e Njeriut”, deklaroi Blushi.

Ndërkohë, ministri i Drejtësisë Besfort Lamallari në përgjigjen e tij u shpreh se nuk do të dëshironte të fliste për emra të përveçëm, siç është ai i Ilir Metës, por për rëndësinë e përafrimit të Kodeve, me ato të BE, për të adresuar në këtë mënyrë dhe shumë shqetësime të partnerëve.

Megjithatë, Lamallari, iu përgjigj dhe disa pyetjeve të Blushit që po ashtu kishin lidhje me qëndrimin e Metës në paraburgim.

“E kuptoj zotin Blushi për të kërkuar Interpelancë për një person të veçantë. Interpelanca përdoret për mision që ne kemi këtu, që është i përfaqësimit të qindra mijëra qytetarëve, që nuk presin emra të përveçëm. Blushi nuk foli këtu dhe për shqetësimet e KiE për kohën e gjatë që njerëzit këtu qëndrojnë në paraburgim. Të bëhemi bashkë për të përmirësuar kodet, për të ulur marzhet e ndëshkimit. T’i sjellim këto kode sipas standardeve më të mira të BE. Kjo është të flasësh për qytetarët.

Jemi njohur me rekomandimet e Avokatit të Popullit të përcjellë në Drejtorinë e Burgjeve. Bëhet fjalë për rekomandime përgjithësuese. Avokati i Popullit nuk thotë se ka asnjë trajtim çnjerëzor dhe nuk i janë cënuar liritë e të shprehurit. Siguria e Metës është garantuar sipas ligjit. Ai trajtohet si çdo i paraburgosur”, tha ministri Lamallari.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)