LIVE/Molotovë Kryeministrisë dhe Parlamentit, lëndohen policë, Berisha: Shpallim Edi Ramën armik të Shqipërisë
Bomba molotov e sende të forta janë hedhur në drejtim të Kryeministrisë dhe Parlamentit, në protestën e radhës së PD, atje ku Sali Berisha akuzoi Edi Ramën se po tenton të realizojë grusht shteti duke penguar drejtësinë.
Molotovë e akte dhune shpërthyen para Kryeministrisë dhe Parlamentit në protestën e radhës kombëtare të opozitës, ku kërkoi edhe njëherë largimin e qeverisë Rama.
Një mori koktejlësh shpërthyese dhe sendesh të tjera piroteknike ndezën pjesën e përparme të godinës qeveritare, por që u vunë menjëherë në kontroll nga forcat e policisë, sapo kreu i demokratëve Sali Berisha përfundoi fjalimin e tij përpara mbështetësve.
Më pas, protesta u zhvendos përpara parlamentit atje ku edhe përplasjet mes protestuesve dhe policisë u bënë edhe më të ashpra.
Molotovë të shumtë u hodhën në drejtim të Parlamentit, një pjesë e të cilëve shpërthyen brenda kordonit të ngritur nga policia duke vënë seriozisht në rrezik jetën e disa efektivëve.
Raportohet për 16 efektivë të lënduar nga shpërthimet e këtyre bombave artizanale, teksa i plagosur ka mbetur dhe deputeti demokrat Bledion Nallbati, i cili pati një përplasje me uniformat blu para parlamentit.
Për të mos lejuar që situata të dalë jashtë kontrollit, policia përdori gazin lotsjellës dhe ujin me presion për të shpërndarë turmën, ndërkohë që pati dhe 13 të ndaluar nga protestuesit.
Një kordon i madh policor ishte vendosur përpara Parlamentit, i cili u tentua të çahej disa herë nga protestuesit që drejtoheshin nga deputetët demokratë.
Një grup të rinjsh u shfaqën përballë policisë të maskuar me kapuça dhe me çanta të zeza, ku mendohet se ishin të fshehura sendet piroteknike.
Në fjalimin e tij, para se dhuna të shpërthente, kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha ashpërsoi tonet ndaj kryeministrit Edi Rama duke e akuzuar atë për kapje të shtetit, korrupsion dhe përpjekje për grusht shteti institucional.
Para protestuesve, Berisha deklaroi se Shqipëria po përballet prej 13 vitesh me pasoja “katastrofike” të qeverisjes, duke e cilësuar qeverinë aktuale si “të paligjshme” dhe vendin si “narkoshtet”. Ai tha se Bashkimi Evropian ka dërguar paralajmërime serioze për shkak të korrupsionit, duke vënë në rrezik procesin 32-vjeçar të integrimit evropian.
“Këtë shekull, në një kohë me shpejtësi tjetër, Shqipëria po përballet me pasoja katastrofike. Prej 13 vitesh, pasojat që gërryejnë, rrënojnë ekzistencën e shqiptarëve. Sot nga Brukseli, BE për shkak të vjedhjes nga Ramaduro dërgoi paralajmërimin ogurzi për zhbërjen nga e para të udhëtimit 32 vjeçar plot sakrifica drejt BE. E kemi quajtur Rilindjen të paligjshme sepse e tillë është. E kemi quajtur narkoshtet sepse e tillë është kemi 7 rezoluta. Jemi treguar të butë, të kursyer në emërtime. Edi Rama është armiku i të sotmes dhe të ardhmes së shqiptarëve. Është kërcënim që tejkalon dhe ato të Enver Hoxhës. Ishim në pragun e një grushti shteti brenda shtetit”, tha Berisha.
Berisha akuzoi Ramën se ka ushtruar presion mbi institucionet e drejtësisë, përfshirë SPAK-un dhe Gjykatën Kushtetuese, për të mbrojtur Belinda Ballukun. Sipas tij, përpjekjet për të penguar drejtësinë përbëjnë faza të një grushti shteti, të cilat, tha ai, kanë dështuar falë reagimit qytetar.
“Rama përdori pushtetin për bllokimin e SPAK dhe presionet ndaj GJK për të mbrojtur bashkëhajduten e tunelit të Llogorasë, për të mbrojtur hajduten që ndërtoi Qukës-Qafë Plloçë. Dy muaj Rama u përpoq të bëjë grusht të mbrojë Lubinë sepse pas saj është ajo. Faza e parë e grushtit të shtetit dështoi dhe ju në këtë shesh keni pjesën e kontributit. Revolta juaj dha një sinjal të qartë brenda dhe jashtë vendit se ne nuk do lejojmë vjedhjet e Ramës dhe Lubisë së tij. Jemi këtu, edhe grushtin e dytë që po bën do të dështojë”, shtoi ai.
Në deklaratën e tij, Berisha theksoi se protestat do të vazhdojnë, duke e cilësuar muajin shkurt si vendimtar për “çlirimin e Shqipërisë”, ndërsa akuzoi qeverinë për shpopullimin e vendit dhe largimin masiv të të rinjve.
“Në shkurt zvarritëm diktatorin dhe në shkurt do të çlirojmë Shqipërinë. Ju morët në dorë gazin dhe helmin dhe ua kthyet hajdutëve. Ju me trimërinë tuaj u bëtë lajm në Evropë dhe Botë. Ju rezistuat përballë helmit të skaduar dhe u përballët me regjimin. E denoncuam këtë grusht shteti dhe në kancelaritë e Evropës. Edi Rama i ka shpallur luftë drejtësisë, ai ka thënë se nuk do përfillë vendimin e GJK, Ka ardhur koha që Ramën ta shpallim Armikun më të rëndësishëm për shqiptarët dhe Shqipërinë. Edi Rama në 12 vite ka marrë përsipër misionin makabër të shpërbërjes së kombit, duke e përgjysmuar, duke shndërruar vendin në një territor të zbrazur nga banorët e saj të lashtë. Kush u largua këto vite? Ai përzuri moshën e re, rininë, duke i marrë vendit të ardhmen. 300 apartament rezulton se ka Lubia, ndërsa 104 vite duhet të paguajë një i ri për të blerë një apartament”, tha Berisha në protestë.
Zemërimi i opozitës është shtuar edhe më tej ditët e fundit, pas qëndrimit të kryeministrit Rama për të vijuar mbrojtjen ndaj zëvendëses së tij Belinda Balluku, edhe pse Gjykata Kushtetuese me një votim 4 me 4 (pra me një mosvendim) la në fuqi pezullimin e detyrës për zv/kryeministren që kishte caktuar GJKKO.
Teksa pritej që pas këtij vendimi të mblidhej dhe Këshilli i Mandateve për të diskutuar kërkesën e SPAK për imunitetin e Ballukut, në podcastin e tij, kryeministri paralajmëroi se duke qenë zv/kryeministrja nuk është më në detyrë, nuk ka asnjë urgjencë për këtë çështje.
20:55 - Pësoi goditje në kokë gjatë protestës, deputeti i PD dërgohet tek Spitali i Traumës
Foto: Newsmax Balkans
Policë, qytetarë por edhe deputetë kanë mbetur të lënduar gjatë protestës së sotme kombëtare të Partisë Demokratike.
Dy efektivë policie janë duke u trajtuar me ndihmë mjekësore në QSUT dhe pesë të tjerë tek Spitali i Traumës, aty ku me urgjencë është transportuar edhe deputeti demokrat, Bledion Nallbati.
Bëhet me dije se Nallbati ka pësuar një goditje në kokë dhe nuk është ndjerë mirë pas protestës.
Ai shihet teksa nxirret nga selia blu prej kreut të Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi dhe me një automjet privat të ndodhur në ambientet e jashtme, dërgohet drejt spitalit për të marrë ndihmën e nevojshme mjekësore.
Një referencë për rastin e Nallbatit e bëri edhe kryedemokrati Sali Berisha në fjalimin mbyllës të protestës, që u mbajt në selinë blu.
“Këta banditë me uniformë goditën sot deputetë e opozitës që mbrojnë ligjin dhe Kushtetutën”, tha Berisha.
20:22 - 8 policë të lënduar në protestë, ministrja Koçiu: Dhuna nuk justifikon të drejtën për protestë
Foto: LSA
Të paktën tetë efektivë policie kanë mbetur të lënduar si pasojë e sulmit me molotov dhe lëndë piroteknike ndaj Kryeministrisë dhe Parlamentit gjatë protestës kombëtare të Partisë Demokratike.
Punonjësit e policisë janë transportuar në spital për ndihmë mjekësore, pasi kanë pësuar djegie dhe dëmtime fizike të shumta.
Lidhur me situatën e krijuar ka reaguar ashpër ministrja e Brendshme, Albana Koçiu, e cila përmes një postimi në Facebook shprehet se dhuna ndaj efektivëve të policisë nuk e justifikon të drejtën për të protestuar.
Në postimin e shoqëruar me pamje nga momenti kur sulmohet me zjarr kordoni i policisë para Parlamentit, Koçiu evidenton atë që u pa gjatë protestës, një grup i maskuar dhe me çanta në krah, të cilët sipas ministres zgjodhën forcën përballë fjalës.
“E drejta për të protestuar, për të disatën herë, u dhunua nga një grup që zgjodhi forcën në vend të fjalës, duke sulmuar, dhunuar e lënduar punonjësit e Policisë së Shteti. Dhuna nuk mund të jetë kurrë një mjet dhe asnjë lloj agjende nuk e justifikon përdorimin e saj. Mirënjohje për çdo punonjës policie që tregoi profesionalizëm dhe maturi përballë çdo provokimi. Policia do të jetë gjithmonë në krye të detyrës për të garantuar të drejtën për të protestuar, si dhe të garantojë sigurinë e çdo qytetari dhe të pronës publike dhe të qytetarëve”, shprehet ministrja e Brendshme.
20:21 Sërish gaz lotsjellës te Parlamenti, policia nuk lejon protestuesit të grumbullohen
Policia ka hedhur sërish gaz lotsjellës përpara parlamentit për të mos lejuar protestuesit e opozitës që të grumbullohen dhe të vijojnë përplasjen.
Bombola të shumta me gaz kanë mbushur zonën duke detyruar të gjithë njerëzit që të largohen.
Kujtojmë që Parlamenti u kthye më herët në një arenë të vërtetë përplasje mes protestuesve dhe policisë.
Molotovë të shumtë janë hedhur në drejtim të Parlamentit, një pjesë e të cilëve kanë shpërthyer brenda kordonit të ngritur nga policia duke vënë seriozisht në rrezik jetën e disa efektivëve.
Raportohet për 6 efektivë të lënduar nga shpërthimet e këtyre bombave artizanale, teksa nuk ka një numër të saktë.
19:50 - Dhunë para Parlamentit, rrezikohet jeta e efektivëve, policia përgjigjet me gaz lotsjellës
Foto: Newsmax Balkans
Pas disa minutash qetësi, molotovë të shumtë janë hedhur në drejtim të Parlamentit, një pjesë e të cilëve kanë shpërthyer brenda kordonit të ngritur nga policia duke vënë seriozisht në rrezik jetën e disa efektivëve.
Raportohet për efektivë të lënduar nga shpërthimet e këtyre bombave artizanale, teksa nuk ka një numër të saktë.
Për të mos lejuar që situata të dalë jashtë kontrollit, policia ka përdorur gazin lotsjellës dhe ujin me presion për të shpërndarë turmën.
Një kordon i madh policor ishte vendosur përpara Parlamentit, i cili u tentua të çahej disa herë nga protestuesit që drejtoheshin nga deputetët demokratë.
Një grup të rinjsh u shfaqën përballë policisë të maskuar me kapuça dhe me çanta të zeza, ku mendohet se ishin të fshehura sendet piroteknike.
19:46 - Një efektiv i lënduar në protestë, Balla: Kush ngre dorë mbi policinë ka goditur shteti
Foto: Youtube/Partia Demokratike
Protesta kombëtare e Partisë Demokratike është zhvendosur nga Kryeministria tek sheshi para Parlamentit të Shqipërisë, aty ku dhjetëra protestues por edhe deputetë të opozitës janë përplasur dhe shtyrë me efektivët e policisë që kanë krijuar kordonin e sigurisë.
Pas përplasjes fizike, molotovë dhe fishekzjarrë janë hedhur në drejtim të policisë, ku disa prej tyre u panë nën flakë. Edhe këtë herë ka ndërhyrë autoboti me ujë i policisë për të shpërndarë turmën.
Ndërkohë, mësohet se nga motlovi i hedhur në drejtim të Kryeministrisë ka mbetur i plagosur një efektiv policie. Për situatën e krijuar ka ardhur reagimi i parë nga ana e mazhorancës.
Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla duke e cilësuar tubimin si “protesta e bufit”, dënon ashpër sulmin ndaj punonjësve të policisë që janë stacionuar në terren për të ruajtur rendin dhe sigurinë.
“Dy fjalë për fundin e protestave të bufit, ku sulmohen punonjësit e policisë dhe institucionet. Ndoshta për të fshehur me tym e flakë dështimin e tyre. Gjithmonë do të ekzistojë liria për të protestuar në Shqipërinë tonë. Por sa kohë ligji e thotë qartësisht, nuk duhet të ekzistojë liria për të goditur apo keqtrajtuar ata që kanë zgjedhur për të shërbyer në mbrojtje të sigurisë së qytetarëve. Duhet t’i mbrojmë ata që na mbrojnë dhe duhet të kujdesemi për ata që shërbejnë për sigurinë e qytetarëve. Kjo është ajo që bën një shtet i drejtë dhe normal. Rëndësia e detyrës që mbart uniforma e Policisë, duhet ta bëjnë shoqërinë të reflektojë, ndërsa drejtësia t’i bëjë shembull ata që godasin punonjësit e policisë. Policia i ka shërbyer dhe i shërben me devotshmëri atdheut dhe qytetarëve, përplaset çdo ditë me kriminelë e keqbërës. Policia ka derdhur gjak, në emër të misionit dhe betimit të saj. Gjaku i policisë është gjaku i shtetit. Kush ngre dorë kundër punonjësit të policisë, ka ngritur dorë kundër shtetit”, shkruan Balla në rrjetet sociale.
19:22 - Protesta me dy akte, pas molotovit ndaj Kryeministrisë rrethohet edhe Parlamenti
Foto: Partia Demokatike e Shqipërisë
Protesta kombëtare e Partisë Demokratike pas mbylljes së fjalës së kryedemokratit Sali Berisha është ndarë në dy kahe. Një grup protestuesish ka mbetur në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” pasi godina e Kryeministrisë u sulmua me molotov dhe fishekzjarrë, ndërsa një pjesë e madhe e tyre kanë lëvizur në drejtim të Parlamentit.
Forca të shumta policie kanë krijuar një kordon në hyrje të Parlamentit, ndërsa përballë tyre shihen qytetarë, deputetë të Partisë Demokratike dhe disa grupe të rinjsh të veshur me të zeza dhe të maskuar, që mbajën në kurriz çanta shpine, të cilat nuk dihet se çfarë kanë brenda tyre.
Ndërkohë që i është vendosur flaka edhe një koshi mbeturinash pranë godinës së Parlamentit. Deri më tani nuk ka pasur përplasje me forcat e rendit të stacionuara aty.
18:59 - Tym e flakë në protestë, Kryeministria goditet me breshëri molotovi
Foto: Youtube/Partia Demokratike
Menjëherë pasi kryedemokrati Sali Berisha mbylli fjalën e tij nga podiumi i vendosur në bulevardin “Dëshmorët e Kombit, në drejtim të Kryeministrisë u hodh molotov nga protestuesit.
Një pjesëmarrës në tubim u pa duke mbajtur në duar një mjet të improvizuar që godiste edhe një breshëri fishekzjarrësh në drejtim të godinës së Kryeministrisë, ndërsa Berisha valëviste flamurin kuqezi.
Ndërkohë, policia bëri thirrje që protestuesit të distancohen nga veprimet e dhunshme dhe në pak minuta u kundërpërgjigj duke përdorur makinë shi-hedhëse për shpërndarjen e turmave.
Ndërkohë dhjetëra të rinj, pjesëmarrës në protestë tentuan të rrëzojnë gardhin me kangjella prej hekuri që i ndante nga kordoni i policisë, i krijuar për të parandaluar një mësyrje të mundshme drejt Kryeministrisë.
18:32 - Ervin Salianji nuk mungon në protestën kombëtare, qëndron larg podiumit të PD
Foto: Newsmax Balkans
Edhe pse për Sali Berishën ai është një i vetëpërjashtuar nga Partia Demokratike, Ervin Salianji edhe në protestën e sotme kombëtare ka zgjedhur t’i bashkohet tubimit, bashkë me qytetarët që kërkojnë rrëzimin e qeverisë së drejtuar nga Edi Rama.
Ish-deputeti demokrat është fotografuar në mes të turmës së demokratëve që po protestojnë sot, i shoqëruar nga disa mbështetës të tij besnikë, të cilët po e ndjekin në rrugëtimin e tij për ndryshime në parti.
Salianji shihet shumë larg podiumit që është ngritur para Kryeministrisë, i shkëputur nga grupi i deputetëve dhe drejtuesve të Partisë Demokratike. Ai është vendosur pranë Piramidës, aty ku edhe protestuesit janë edhe më të shpërndarë.
18:14 - “Kjo është tirani, jo qeverisje”, Aulon Kalaja thirrje shqiptarëve: Mos prisni shpëtim nga jashtë
Foto: Youtube/Partia Demokratike
Ka nisur protesta kombëtare e thirrur nga Partia Demokratike, ku përfaqësues dhe aktivistë të opozitës po mbajnë fjalime para mbështetësve të mbledhur në shesh.
Gjatë protestës ka marrë fjalën edhe aktivisti i PD-së, Aulon Kalaja, i cili mbajti një fjalim me tone të ashpra ndaj qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama. Sipas Kalasë, Shqipëria ndodhet sot “nën sundimin e një pakice”, duke e cilësuar mënyrën e ushtrimit të pushtetit si “tirani”.
Ai ngriti zërin për keqqeverisjen dhe korrupsionin, duke deklaruar se “çdo pushtet që shkel ligjin quhet mafia, jo qeveri”. Kalaja u bëri thirrje qytetarëve që të mos qëndrojnë pasivë dhe të mos presin zgjidhje nga faktorë të jashtëm, por të angazhohen vetë për ndryshim.
Në fjalën e tij, aktivisti i PD-së kritikoi edhe heshtjen e shoqërisë përballë padrejtësive, duke theksuar se problemi nuk është vetëm qeveria, por edhe mungesa e reagimit qytetar.
“Ky vend nuk po vuan vetëm nga ata që qeverisin, por edhe nga ata që heshtin”, u shpreh ai.
Duke folur për lirinë dhe ndryshimin, Kalaja theksoi se ato nuk vijnë pa përpjekje dhe guxim, duke nënvizuar se “asgjë e madhe nuk është arritur pa sakrifica”.
18:12 - “Kjo qeveri ka dështuar”, Alimehmeti: Të bashkohemi për të bërë Shqipërinë
Foto: Youtube/PD
Në protestën para kryeministrisë ka mbajtur fjalën e tij dhe demokrati Ilir Alimehmeti, i cili ishte pjesë e listës së kandidatëve për qarkun e Tiranës.
Alimehmeti deklaroi se kjo qeveri ka dështuar dhe ka larguar më shumë se 1.6 milionë qytetarë jashtë vendit.
“Është fakt që mbi 1.6 mln shqiptarë është jashtë Shqipërisë, kjo për shkak të politikave që ndjek Rama dhe Rilindja. Kjo qeveri ka dështuar në arsim, shëndetësi. Kishim dy gjini, sot kemi dhjetëra që na flet kjo qeveri. Kishim pronat tona, tokat tona, kjo qeveri flet për ish-pronar. Kjo qeveri ndërton rrugë e tunele që bien e shemben brenda vitit. Kemi një qeveri që iu jep certifikata sigurie bandave. Të kthejmë vlerën e familjes në Shqipëri. Ti rikthejmë ata të rinj që kanë ikur. Duhet të largohet Rilindja, duket çliruar vendi nga Edi Rama. Po qëndruam bashkë Shqipëria fiton, ecën përpara”, tha Alimehmeti.
17:58 - Gjekmarkaj hap protestën kombëtare: Edi Rama e mbushi kupën, shqiptarët nuk ja falin një dekadë jetë të grabitur
Foto: Partia Demokatike e Shqipërisë
Nënkryetari i Partisë Demokratike, Agron Gjekmarkaj ka hapur me një thirrje për të bërë historinë, protestën kombëtare të Partisë Demokratike, që ka nisur prej orës 17:30 në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.
Gjekmarkaj theksoi se vendi ndodhet në një pikë kritike, ku sipas tij kryeministri Edi Rama po i kap të gjitha pushtetet dhe ju lë qytetarëve si alterantivë vetëm largimin. Sipas tij shqiptarët nuk do t’ia falin Ramës grabitjen e mbi një dekade jetë.
“Jemi në një pikë kritike, kupa është mbushur. Është gati të marrë peng drejtësinë, të marrë peng parlamentin dhe të grisë Kushtetutën. Ditën e djeshme, Edi Rama hoqi dhe maskën e fundit për të mbrojtur zëvendësen e tij Belinda Ballukun dhe veten. Dhe për të mbrojtur labirintin që ka ngritur dhe ku po humbin shpresën qytetarët. Kur drejtësia e i nënshtrohet pushteti demokracia fillon dhe vdesë ngadalë. Sot janë sosur kufijtë e durimit qytetar. Jemi këtu për të mbrojtur liritë e fituara dhe pluralizimin. Jemi këtu në këtë bulevard për ti kthyer Shqipërisë mbi 1 dekadë jetë të grabitur. Nga jugu në veri qytetarët sot bëhen bashkë në ushtrimin e vështirë të demokracisë, sepse demokracia është betejë dhe përgjegjësi. Ne jemi këtu sot të palëkundur. Ky popull nuk e fal mashtrimin dhe arrogancën e pushtetit që ka bërë qytetarët të largohen nga vendi i tyre”, tha Gjekmarkaj nga podiumi i ngritur poshtë zyrës së kryeministrit Edi Rama.
Më tej, deputeti demokrat nënvizoi se në shesh janë të gjithë ata që janë të bindur se vendi nuk mund të qeveriset më nga mazhoranca socialiste dhe se koha për t’i larguar ka mbërritur.
“Sot në këtë shesh ju jeni garancia morale dhe politike e atyre që duan të flasin por kanë zgjedhur të heshtin. Në momentet më të errëta ky komb ka ditur të ngrihet. PD i solli Shqipërisë lirinë, pluralizimin dhe orientimin perëndimor. Fjala e lirë, dinjiteti dhe e vërteta sot mbrohen nga ju. Shqipëria nuk mund të presë më. Sot do ta bëjmë historinë”, deklaroi Gjekmarkaj.
17:31 Sali Berisha del nga selia për t’iu bashkuar protestuesve në shesh
Pas më shumë se 30 minutash vonesë, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka dalë nga selia për të marshuar drejt kryeministrisë atje ku mbahet dhe protesta e radhës kombëtare. Berisha shoqërohet nga deputetë demokratë dhe një numër i konsiderueshëm mbështetësish.
17:25 Incidente të vogla përpara Kryeministrisë, disa të rinj shtyjnë gardhin e policisë
Kanë nisur incidentet e para në protestën e thirrur nga opozita përpara Kryeministrisë. Disa të rinj kanë tentuar të shtyjnë gardhin metalik që policia ka vendosur në hyrje, por janë ndaluar nga persona të tjerë. Sali Berisha ende nuk i është bashkuar protestuesve.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Kreu i PL-së e vendosi theksin edhe te ajo që e cilësoi “garantim i paprekshmërisë”, duke akuzuar kryeministrin Rama se ka kapur në mënyrë antikushtetuese çdo qelizë të drejtësisë së re.
Ish-luftëtari I UÇK, Haxhi Shala është liruar nga Gjykata Speciale. Lajmi për ardhjen e tij e ka bërë të ditur djali i tij, Flakron Shala. Ai ka ndarë një mesazh në Facebook, duke shkruar: “Mirë se erdhe në atdhe, babë”.
Një zëdhënës i Komisionit Europian i ka thënë Newsmax Albania se Kuvendi i Shqipërisë është përgjegjës të shqyrtojë pa vonesë kërkesën e SPAK për heqjen e imunitetit të Ballukut.
Sali Berisha akuzoi policinë e shtetit për dhunë ekstreme ndaj protestuesve dhe deputetëve në protestën e radhës së opozitës. Ai deklaroi se qytetarët tronditën themelet e regjimit.
Deputeti i Partisë Demokratike, Bledion Nallbati ka pësuar goditje në kokë gjatë përplasjes me policinë në hyrje të Parlamentit dhe nuk është ndjerë mirë pas protestës. Ai është transportuar me urgjencë tek Spitali i Traumës për tu trajtuar me ndihmë mjekësore.
Ministrja e Brendshme, Albana Koçiu ka reaguar për sulmin me molotov që një grup protestuesish realizuan në drejtim të efektivëve të policisë që ishin vendosur në kordon përpara Kryeministrisë dhe Parlamentit për ruajtjen e rendit dhe sigurisë gjatë tubimit kiombëtar të Partisë Demokratike.
Bombat molotov kanë vënë në rrezik jetën e dhjetëra efektivëve të policinë përpara Parlamentit, duke detyruar këta të fundit të kundërpërgjigjen me gaz lotsjellës dhe ujë me presion.
Kreu i Grupit Parlamentar të PS, Taulant Balla ka dënuar ashpër sulmin me molotov ndaj policisë së shtetit tek Kryeministria gjatë protestës kombëtare të Partisë Demokratike, prej së cilit mbeti i lënduar një efektiv.
Protesta e Partisë Demokratike është zhvilluar me dy akte, pasi molotovin e hedhur në drejtim të Kryeministrisë e pasoi një zhvendosje e qytetarëve dhe drejtuesve të partisë drejt Kuvendit të Shqipërisë.
Komente (0)