Kryeministri Edi Rama ka mbrojtur nismën më të re ligjore për ndryshimin në ligjin e Kodit të Procedurës që ndalon pezullimin e ministrave nga prokuroria dhe gjykata.
Sipas kreut të qeverisë, duhet një kufi ndarës mes pushteteve të pavarura, teksa shtoi se në asnjë vend të botës nuk ka një rast të pezullimit të një anëtari qeverie nga gjykata.
Rama shtoi se pezullimi i një ministri nuk prek individin por funksionimin e një institucioni të tërë.
“Ka një boshllëk. Unë mendoj që boshllëku është në trutë e atyre që nuk i dhanë drejtim sipas Kushtetutës dhe bazuar në modelin demokratik të ndarjes së pushteteve në planet. Këtu kam parasysh kulturën e dobët demokratike dhe të shtetit ligjor që ka Shqipëria. Nuk është nevoja të jetë çdo gjë e shkruar, kur në frymën e Kushtetutës janë të qarta orientimet. Ajo që e bën të pajustifikueshme për një prokuror është fakti që pezullimi nuk cenon personin, por funksionin dhe të gjitha ato funksione që solli në vëmendje kreu i Komisionit të Ligjeve janë funksione që nuk ushtrohen pa personin.
Në momentin që pezullohet një ministër, pezullohet puna e një institucioni. Ajo ministri nuk ka më kapacitet të propozojë asgjë në këshillin e ministrave. Kaq duhet të mjaftonte për të mbyllur këtë debat. Ja që nuk ndodhi kjo. Nuk ka asnjë rast të vetëm në Evropë, ku pezullohet një anëtar qeveri nga një prokuror dhe gjykatës. Mosvendimi bën që çdo një nga ato figura të jetë vulnerabël ndaj pezullimit dhe kufiri ndarës mes pushteteve të jetë gardh me vrimë ku hyjnë qetë.
Nuk e lejojmë. Nuk ka të bëjë me cenim të të drejtave të pushtetit gjyqësor. Vendosja e këtij kufiri është e rëndësishme për të caktuar një ndarje tjetër që nuk ekziston në mendjen e shumëkujt. Vetëm gjyqësor është i pavarur, të gjithë të tjerët janë të varur prej tij? Jo janë tre. Përveç gjyqësorit është edhe legjislativi dhe ekzekutivi”, tha mes të tjerash kryeministri Rama në mbledhjen e grupit të Partisë Socialiste.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)