Kreu i Partisë “Mundësia”, Agron Shehaj, ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të kryeministrit Edi Rama për sistemin e drejtësisë, duke e akuzuar atë për sulm frontal ndaj prokurorëve dhe gjyqtarëve.
Gjatë një komunikimi publik, Shehaj u ndal te deklaratat e Ramës, i cili, teksa prezantonte një nismë ligjore të PS për të ndaluar SPAK-un të kërkojë pezullimin nga detyra të kryeministrit dhe anëtarëve të kabinetit, përdori etiketime fyese ndaj përfaqësuesve të drejtësisë. Shehaj solli në vëmendje deklaratën e Ramës: “Që kufiri ndarës midis pushteteve të jetë si ato gardhet me një vrimë ku hyjnë dhe dalin qentë dhe minjtë dhe ne këtë nuk mund ta lejojmë”.
Sipas kreut të “Mundësia”, gjuha e ashpër e kryeministrit tregon shqetësim për zhvillimet e fundit, përfshirë kërkesën për arrestimin e zëvendëskryeministres Belinda Balluku dhe pezullimin e saj nga detyra. “Qartësisht Edi Rama është shumë i shqetësuar sepse mendonte se do të kishte një pushtet absolut dhe të përjetshëm, por ja që kjo nuk do të ndodhë. Sepse drejtësia me mbështetjen e ndërkombëtarëve po i çon të korruptuarit para drejtësisë si kurrë më pare”, theksoi Shehaj.
Ai shtoi se shumë shpejt kryeministri mund të merret i pandehur, duke e lidhur këtë me hetimet që po zhvillohen ndaj zyrtarëve të lartë. Në këtë kuadër, Shehaj bëri thirrje për firmosjen e deklaratës në mbrojtje të drejtësisë, duke nënvizuar se firmat do t’i dërgohen Kongresit Amerikan dhe Parlamentit Europian si shenjë mbështetjeje për luftën kundër korrupsionit. Sipas tij, deri më tani janë mbledhur rreth 60 mijë firma nga qytetarët.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)