Drejtuesi i Komisionit të Jashtëm të Parlamentit Europian, David McAllister pas takimeve që pati në Tiranë me përfaqësues të mazhorancës dhe opozitës, u pyet nga gazetarët edhe për çështjen e zv.kryeministres Belinda Balluku.
Ai tha se ky është një test i Shqipërisë në luftën kundër korrupsionit dhe kërkoi një zgjidhje, detyrën për të cilën ia faturoi qeverisë.
“Kjo çështje luajti rol gjatë vizitës sonë dhe në takimet tona këtu. S’jam në pozitën që të jap komente për çështje të veçanta. Jam në dijeni të çështjes, që s’ka të bëjë vetëm me aspekte juridike, por edhe përgjegjësi politike. Çështja që përfshin Ballukun është test kritik për Shqipërinë për të adresuar korrupsionin. Nuk kam komente të mëtejshme për këtë”, tha ai.
Në konferencën për mediat, McAllister kërkoi po ashtu përshpejtim të reformave dhe zbatim konkret të ligjeve. Ai theksoi se Shqipëria ka bërë progres, por ende mbetet shumë për t’u bërë, veçanërisht në luftën kundër korrupsionit.
“Ekziston nevoja për të ruajtur forcën lëvizëse në luftën kundër korrupsionit. Shumë është arritur në këtë fushë, por ende nuk është në nivelin e kënaqshëm”, u shpreh ai, duke përmendur edhe faktin se vendi ka humbur 11 vende në renditjen e Transparency International.
Sipas tij, duhet të shmangen ndërhyrjet politike dhe politikanët duhet të japin shembullin duke respektuar institucionet. Një tjetër pikë kyçe ishte reforma zgjedhore. McAllister kërkoi që ndryshimet të realizohen në kohë të mjaftueshme para zgjedhjeve dhe të jenë gjithëpërfshirëse.
“Duhet të hyjnë në zbatim të plotë rekomandimet e OSBE/ODIHR-it”, theksoi ai.
Ai ndaloi gjithashtu te liria e shprehjes dhe pluralizmi mediatik, duke kërkuar më shumë transparencë nga drejtuesit e mediave dhe mbrojtje për gazetarët nga presionet politike dhe sulmet.
Në përfundim, McAllister nënvizoi se miratimi i ligjeve nuk mjafton nëse ato nuk zbatohen në praktikë.
“Nuk mjafton vetëm miratimi i legjislacionit; që të ndihen efektet, reformat duhet të vihen në zbatim”, deklaroi ai, duke bërë thirrje për bashkëpunim konstruktiv mes institucioneve dhe forcave politike për të çuar përpara procesin e reformave.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)