“Do vazhdojmë me nismën për ndarjen e pushteteve”, Balla: Nuk ka asnjë kërkesë për heqje imuniteti

Kreu i grupit të PS, Taulant Balla deklaroi se mazhoranca do të vijojë me nismën për ndryshimin e ligjit 242 që një pushtet mos pezullojë një tjetër.

19.02.2026. 10:35

“Do vazhdojmë me nismën për ndarjen e pushteteve”, Balla: Nuk ka asnjë kërkesë për heqje imuniteti

Debati parlamentar në Kuvendin e Shqipërisë nisi këtë të enjte për çështjen e imunitetit të zv/kryeministres Belinda Balluku.

Sipas kreut të grupit të PS, Taulant Balla nuk ka një kërkesë në Kuvend për imunitet, por për dhënie autorizimi për masë sigurie.

Ai gjithashtu kërkoi vendimin e zbardhur të Gjykatës Kushtetuese për pezullimin e Ballukut nga GJKKO.

“Për transparencë, në Kuvend nuk ka asnjë kërkesë për heqje imuniteti pasi as deputetët as ministrat nuk kanë imunitet. Ka një kërkesë për dhënie autorizimi për masë sigurie. Sa i përket kërkesës për dhënie autorizimit, zotrote jeni njoftuar që në 23 shkurt në orën 10: 00 të vijojmë mbledhjen. Të gënjesh është profesion dhe ju e ushtroni.

Thatë që ka një vendim të GJK 8-0. A mund ta kem këtë vendim? Nuk ka një vendim. Po ka një vendim 8-0 në leximin që thotë që GJKKO ka ndërhyrë në kompetencat e kryeministrit. Nuk është rënë dakord për mënyrën si zgjidhet kjo çështje. Ne presim me kërshëri dhe i kam bërë thirrje GJK që brenda afatit të na verë në dispozicion atë që kanë gjetur anëtarët”, tha Balla.

Balla vijoi më tej duke thënë se mazhoranca do të vijojë me nismën e saj për të ndryshuar ligjin 242 të kodit të procedurës penale, për të mundësuar ndarjen e pushteteve.

“Në vijim të komunikimit, dua t’iu informoj që ju keni një problem që merrnin kompetenca që si keni. Do të vazhdojmë me nismën tonë për ndarjen e pushteteve në një republikë parlamentare”, deklaroi Balla.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)