Berisha paralajmëron “dimensione të reja” të protestës: Kryengritja paqësore është e pandalshme

Sipas kreut të demokratëve, revolta do të ketë një tjetër intensitet dhe lëvizja opozitare do të vazhdojë deri në largimin e kryeministrit Edi Rama.

28.02.2026. 13:49

Berisha paralajmëron “dimensione të reja” të protestës: Kryengritja paqësore është e pandalshme

Në prag të protestës që do të zhvillohet sot në orën 18:00 para Kryeministrisë, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka bërë të ditur skenarët që do të përdoren, duke paralajmëruar përshkallëzim të reagimit qytetar. Ai deklaroi se protesta do të ketë një tjetër intensitet dhe se lëvizja opozitare nuk do të ndalet deri në largimin e kryeministrit Edi Rama.

“Do të ketë revoltë! Kryengritja jonë paqësore do të njohë dimensione të reja. Është e pandalshme deri në largimin e Ramës”, u shpreh Berisha. Duke ironizuar një fjalim të fundit të kryeministrit, ai shtoi: “Shqiptarët kishin para një kufomë politike të pakallur. Ne do ta kallim atë. Do t’i japim vendin që meriton”.

Gjatë deklaratës së tij, Berisha hodhi akuza edhe për ndryshimet e fundit në qeveri. Lideri i demokratëve i cilësoi si përpjekje për të shmangur përgjegjësinë ligjore. Sipas tij, ndryshimet e bëra nga Rama nuk janë reformë, por tentativë për të krijuar mbrojtje për zyrtarët e përfshirë në afera.

“Pasi dështoi me grushtin e shtetit me Gjykatën Kushtetuese, ai përpiqet me ndryshime ligjesh të krijojë një mburojë për veten dhe bashkëhajdutët e tij”, deklaroi Berisha. “Riformatimi i qeverisë faktoi më shumë se çdo gjë tjetër se përgjegjësia bie mbi vetë Ramën. Akt më qesharak dhe më të papërgjegjshëm nuk ka, pasi firmat e atyre që janë emëruar, janë në të gjitha dokumentet që Lubia ka firmosur me urdhër të Edi Ramës. Pra, këta ministra janë për definicion anëtarët e grupit të strukturuar kriminal të Lubi Ballukut në ofertat, tenderat dhe vjedhjet e saj”, shtoi ai.

Në fund Berisha theksoi se këto lëvizje politike tregojnë “progresin e agonisë politike” të kryeministrit. Ndër të tjera kreu i PD-së e cilësoi projektin e portit të rinë Porto Romano si aferën më të madhe korruptive në Europë.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)