Lufta në Iran, thirrja e Berishës: Regjimi duhet rrëzuar, mos ja lini në dorë qytetarëve

Sali Berisha kërkoi një përgjigje të fortë dhe përfundimtare ndaj regjimit të Ajatollahëve në Iran. Nga selia e Kuvendit, lideri i demokratëve foli dhe për protestën e 12 marsit.

05.03.2026. 13:22

Lufta në Iran, thirrja e Berishës: Regjimi duhet rrëzuar, mos ja lini në dorë qytetarëve

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka reaguar për mediat jashtë selisë së Kuvendit, rreth konfliktit mes Iranit dhe SHBA e Izraelit, duke thënë se regjimi i Ajatollahëve duhet të rrëzohet sa më shpejt.

Sipas Berishës, ky operacion i drejtuar nga Shtetet e Bashkuara duhet të mbyllet me mposhtjen e regjimit, pasi qytetarët nuk mund të dalin në protesta për shkak të kërcënimeve me armë.

“Irani duhet të marrë përgjigje përfundimtare. Janë mbi 50% e popullatës që nuk janë persë, por të minoriteteve të tjera, azerët janë 30 mln. Uroj që dhe bota të ndihmojë çlirimin e tyre. Bej thirrje që operacionet ndaj Iranit të vazhdojnë deri në përmbysje të plotë. Është e gabuar të pritet nga iranianët që të ngrihen e të dalin në rrugë, kur ata i presin mitralozat e regjimit. Ky operacion duhet të mbyllet me mposhtjen e regjimit”, tha Berisha.

Sali Berisha foli dhe për protestën e 12 Marsit, e cila ende mbetet pa një orar zyrtar, pasi ende nuk është caktuar se kur do të mbahet seanca për imunitetin e Belinda Ballukut.

Kreu i demokratëve deklaroi se objektivi i kësaj proteste është vetëm largimi i Edi Ramës.

“Më 12 mars Shqipëria vjen këtu për të kërkuar dorëheqjen e Ramës, përcilleni objektin e protestës. Shqiptarët do të kërkojnë dorëheqjen e tij. Ora do caktohet. Ftoj shqiptarët të vazhdojmë betejën tonë. Është stina e përmbytjes së diktaturës. Ne do ta kryejmë vetë. T’i themi sa më shpejt u krye”, tha ai.

Në fund, Berisha ka mohuar të ketë votuar në Kuvend kundër shkarkimit të Elisa Spiropalit si ministre e Jashtme.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)