Studimet universitare për 220 studentë italianë të pranuar në Fakultetin e Mjekësisë nuk do të nisin në Itali, por në Tiranë. Situata është krijuar prej “semestrit fitrues”, për studentët që ishin pozicionuar më poshtë pas provimit të pranimit dhe që këtë vit u aplikua për herë të parë.
Por, risia dhe transferimi i studimeve në Shqipëri kapi të papërgatitur shumë të rinj që ëndërrojnë të bëhen mjekë. Ata që u spostuan drejt “degës së huaj të Universitetit ‘Tor Vergata’ të Romës”, më specifikisht në Tiranë, u surprizuan dhe nuk e pritën mirë vendimin.
Arsyeja kryesore lidhet me kostot shumë të larta vjetore për vitin akademik, që gjatë qëndrimit në Shqipëri do tu kushtonte të paktën 9,650 euro. Shifra është tejet e lartë krahasuar me tarifat në universitetet shtetërore italiane. Lajmi i raportuar nga mediat përtej Adriatikut, solli reagimin e menjëhershëm të Ministrisë së Arsimit të Lartë dhe Kërkimeve Shkencore.
Ministrja Anna Maria Bernini ka qenë e ashpër në qëndrimin e saj. “E konsideroj të gabuar zgjedhjen e Universitetit ‘Tor Vergata’ për të aplikuar një nivel kaq të lartë tarifimi për studentët e caktuar në Tiranë. Kjo kërkesë financiare nuk është koherente për qëllimin që ka sistemi i hapur dhe nuk i shkon parimeve që duhet të udhëheqin sistemin universitar publik. Shifra është e papranueshme për zbatimin efektiv të së drejtës për arsim”, tha ajo.
Pas ankesave të studentëve, Bernini kontaktoi urgjentisht rektorin e Universitetit “Tor Vergata”, Nathan Levialdi Ghiron. “Rishikoni menjëherë tarifat. Tirana është një degë jashtë vendit e një universiteti shtetëror italian dhe si e tillë nuk mund të aplikojë tarifa të ndryshme. Për më tepër, asnjë student nuk mund të paguajë gati 10 mijë euro në vit, kur bashkëstudiuesit e tij paguajnë vetëm një të tretën e kësaj shifre”, shtoi ministrja.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)