Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, mori pjesë mbrëmjen e së enjtes në iftarin e parë të muajit të shenjtë të Ramazanit në Tiranë, të organizuar nga Komuniteti Mysliman Shqiptar. Në fjalën e tij, kreu i shtetit theksoi se agjërimi nuk është vetëm privim nga ushqimi dhe lëngjet, por një shkollë e karakterit, një ushtrim i përditshëm i durimit, vetëpërmbajtjes dhe reflektimit të thellë.
Ai e përshkroi Ramazanin si një rrugëtim shpirtëror që forcon lidhjen me Krijuesin, dashurinë për familjen dhe përgjegjësinë ndaj shoqërisë. Begaj theksoi se thelbi i agjërimit qëndron te lartësimi moral dhe devotshmëria. Ai shtoi se pa ndershmëri dhe drejtësi në fjalë dhe vepër, agjërimi do të mbetet thjesht një ritual formal, pa përmbajtje të vërtetë.
Presidenti nënvizoi rëndësinë e solidaritetit njerëzor dhe të mbrojtjes së trashëgimisë së çmuar të vëllazërisë fetare në Shqipëri. Ai theksoi se iftari është një moment i bashkimit, ku dallimet fshihen dhe forcohen lidhjet mes familjarëve, fqinjëve dhe miqve, duke kujtuar veçanërisht ata në nevojë. “Agjërim të lehtë dhe të pranuar”, ishte urimi i presidentit Bajram Begaj.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)