Piloti humb jetën në pistën e Nürburgring, Verstappen i tronditur: Garat janë të rrezikshme

Aktualisht Botërori i Formula 1 është i pezulluar dhe garat do të rikthehen në Shtetet e Bashkuara në fillim të majit, por kampioni holandez “ushqen” pasionin në disiplina të tjera.

20.04.2026. 12:21

Piloti humb jetën në pistën e Nürburgring, Verstappen i tronditur: Garat janë të rrezikshme

Me Botërorin e Formula 1 që aktualisht është i pezulluar dhe në pritje të rikthimit të garave në Shtetet e Bashkuara në fillim të majit, Max Verstappen ka vendosur të qëndrojë në formë. Kampioni holandez e “ushqen” pasionin e tij për garat e shpejtësisë në kategori të tjera.

Piloti i Red Bull mori pjesë gjatë kësaj fundjave në një garë Endurance, në pistën e famshme të Nürburgring në Gjermani. Por, eventi aty u karakterizua nga një aksident i rëndë ku u përfshinë shtatë makina. Ngjarja tragjike përfundoi me vdekjen e pilotit Juha Miettinen, 66 vjeç, i cili po drejtonte një makinë BMW.

I prekur nga lajmi, Verstappen reagoi në rrjetet sociale duke u shprehur “i tronditur” nga tragjedia. “Motorsporti është diçka që të gjithë e duam, por në momente si ky na kujton sa i rrezikshëm mund të jetë. Ngushëllimet e mia më të sinqerta për familjen dhe të afërmit e Juha-s”, shkruajti ai.

Foto nga web

Verstappen nuk ishte në pistë në momentin e aksidentit, por garoi në timonin e një makine Mercedes, në një garë kualifikuese të Nürburgring Langstrecken Series, që shërben si përgatitje për garën e famshme 24 Orë Nürburgring, e cila do të zhvillohet në maj dhe ku Verstappen pritet të marrë pjesë.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)