Ndeshja Verona-Milan nuk përfundoi me vërshëllimën e arbitrit në minutën e 90-të, por pati një epilog të papritur jashtë fushës. Siç u pa edhe në një video që bëri xhiron e botës, sulmuesi Gift Orban është përfshirë në një incident të rëndë teksa po largohej nga stadiumi Bentegodi.
Sipas një dëshmitari, pas humbjes ndaj Milanit, Orban ishte dukshëm i tensionuar dhe nuk pranoi të ndalonte për fotot e zakonshme me tifozët e Hellas Verona, që i prisnin lojtarët jashtë stadiumit. Në një moment të papritur, pasi makina e tij u godit me dorë nga një tifoz, lojtari e ndaloi automjetin, zbriti dhe dyshohet se sulmoi me dhunë një tifoz, duke shkaktuar një përleshje.
Për të qetësuar situatën ndërhynë disa tifozë të tjerë, ndërsa e gjithë skena u filmua me celularë. Në vendngjarje ka ndërhyrë edhe Digos, policia italiane për hetime speciale, për të kryer verifikimet e nevojshme.
Klubi i Hellas Verona ka reaguar më pas me një deklaratë zyrtare, duke dënuar ngjarjen. “Në lidhje me ngjarjet e ndodhura pas ndeshjes Hellas Verona-Milan në parkimin pranë stadiumit ‘Bentegodi’, ku u përfshi lojtari Gift Orban dhe një grup tifozësh, klubi distancohet dhe dënon me vendosmëri çdo sjellje të dhunshme. Gjithashtu, ne rezervojmë të drejtën të bëjmë vlerësime të mëtejshme lidhur me faktet e ndodhura”, thuhej në njoftim.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)