FIFA po shqyrton një ndryshim të rëndësishëm në rregullin e pozicionit jashtë loje, i cili mund të sjellë një transformim të thellë në mënyrën se si luhet futbolli modern. Ideja, e mbështetur nga presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, synon të rishikojë kriteret aktuale të vlerësimit të “offside”.
Sipas propozimit, një lojtar do të konsiderohej jashtë loje vetëm në rast se ndodhet plotësisht me trup përpara mbrojtësit kundërshtar. Kjo do të thotë se shumë nga rastet minimale, që sot ndëshkohen për milimetra do të quheshin të rregullta, duke i dhënë më shumë hapësirë sulmuesve për të finalizuar aksionet.
Ky ndryshim do t’u jepte avantazh skuadrave në fazën ofensive, por njëkohësisht do të sillte më shumë rrezik për ekipet që mbrohen me vijë të lartë, duke përfshirë këtu emra të njohur si Barcelona. Me rregullin e ri, katalanasit duhet të ndryshojnë strategji.
Propozimi ka ngjallur interes të madh në botën e futbollit, ndërsa mbetet për t’u parë si do të përshtaten ekipet nëse rregulli do të miratohet. Po ashtu, pritet që ky ndryshim të rikthejë rolin vendimtar të asistentëve të arbitrit, duke zvogëluar varësinë nga vendimet teknologjike.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)