Është hedhur sot në orën 14:30 shorti për fazën çerekfinale të Kupës së Shqipërisë, duke përcaktuar përballje mjaft interesante mes tetë skuadrave të mbetura në garë. Vëmendja kryesore shkon te derbi i kryeqytetit, që rikthehet në Kupë, me Tiranën që do të përballet me Dinamon.
Në çiftet e tjera, Teuta do të duelojë me Egnatian, Elbasani do të sfidojë Partizanin, ndërsa Bylisi do të masë forcat me Vllazninë.
Egnatia, Vllaznia, Partizani dhe Dinamo ishin pjesë e vazos së parë në short, ndërsa katër skuadrat e tjera u renditën në vazon e dytë për të plotësuar fazën çerekfinale. Si avantazh për ekipet e vazos së parë, ndeshja e dytë do të luhet në fushën e tyre. Kjo do të thotë se fati përfundimtar i kualifikimit do të vendoset në shtëpinë e Egnatias, Dinamos, Partizanit dhe Vllaznisë.
Ndeshjet e para çerekfinale janë programuar të zhvillohen më 11 shkurt, ndërsa takimet e kthimit do të luhen më 4 mars. Për fazën gjysmëfinale do të hidhet një short i ri, që do të përcaktojë çiftet e radhës drejt finales së Kupës së Shqipërisë.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)