Mafia shqiptare dhe lidhjet e saj me futbollin është çështja e nxehtë që po diskutohet në Ekuador. Për të nxitur debatet shërbeu deklarata e gazetarit Andersson Boscan, i cili ka origjinë ekuadoriane, por aktualisht jeton dhe punon në Kanada.
Ai i bëri akuzat gjatë një programi ku ishte i ftuar. Aty u theksua se Astillero FC, skuadër e kategorisë së dytë në Guayaquil është përfshirë në një skandal të rëndë financiar, pas dyshimeve për lidhje me mafian shqiptare.
Akuzat janë bazuar edhe në një raport, ku financimi i klubit realizohet nga ish-drejtori Héctor Pesantes Sangurima dhe kompania e sigurimit “Agusegpro”, e cila gjithashtu po hetohet për lidhje me mafian shqiptare. Sipas gazetarit Boscan, në vitin 2023 klubi ka shpenzuar deri në 3,8 milionë dollarë, por ka deklaruar të ardhura në vlerën e vetëm 100 mijë dollarëve.
Sipas klubit një pjesë e shpenzimeve gjenerohen duke dhënë me qira fushat, të cilat kushtojnë deri në 50 dollarë në orë. Por, gazetari ekuadorian theksoi se kjo shifër nuk do të mjaftonte as sikur dhënia e fushave me qira të bëhej gjatë gjithë 24 orëshit të gjithë kohëzgjatjes kalendarike të vitit.
Andersson Boscan njoftoi se provat për përdorimin e borderove të dyfishta do ti dorëzohen autoriteteve. Ndërkohë, në vitin 2025 klubi u shpall kampion i kategorisë së tij, duke kaluar direkt në turin e parë të kupës “Ascenso Nacional 2025” dhe tashmë luajnë në fazën e 1/8.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)