Ish-mbrojtësi legjendar i Manchester United dhe Anglisë, Rio Ferdinand, ka bërë një rrëfim të fortë për pasojat që i ka lënë karriera si futbollist, duke zbuluar se sot, në moshën 47-vjeçare, shpesh ka nevojë për karrocë invalidi dhe trajtim spitalor.
Ferdinand, i cili zhvilloi afro 600 ndeshje në nivel elitar me klube si West Ham, Leeds, Manchester United dhe QPR, tha se dëmtimet e shpinës, të cilat i përballoi për vite me radhë me injeksione, tani po shfaqin pasojat e tyre. Ai rrëfen se për gjashtë vite luajti nën efektin e ilaçeve për të përballuar dhimbjet, gjë që sot e detyron herë pas here të shtrohet në spital për disa ditë.
“Kam momente shumë të këqija dhimbjeje, sa ndonjëherë përfundoj në karrocë invalidi. Është çmenduri, sepse vjen papritur,” tha Ferdinand. Ai shtoi se prej kohësh po ndjek fizioterapi intensive dhe një program të personalizuar stërvitjeje për të përmirësuar gjendjen e tij fizike.
Pavarësisht sfidave, ish-kapiteni i Anglisë mbetet i vendosur të ruajë një stil jete aktiv, si për shëndetin mendor, ashtu edhe për të qenë shembull për pesë fëmijët e tij. “Dua që fëmijët e mi të shohin se një jetë e shëndetshme dhe puna e palodhur janë norma,” theksoi ai.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)