Në Arabinë Saudite ka shpërthyer një skandal i madh. Skuadra e Al-Ahli, që aktualisht renditet në vendin e tretë në kampionat, ka akuzuar ligën saudite të futbollit se po ndërhyn për të favorizuar skuadrë e Cristiano Ronaldo-s, Al-Nassr në garën për titull. Reagimi i ashpër erdhi pas barazimit 1-1 ndaj Al-Fayha, një ndeshje e shoqëruar me vendime të diskutueshme të arbitrit.
Sipas pretendimeve të klubit dhe lojtarëve, skuadrës i janë mohuar tre penallti të pastra, që sipas tyre janë injoruar në mënyrë të qëllimshme nga stafi i arbitrave. Dy nga rastet janë shqyrtuar nga sistemi VAR, por vendimi në fushë nuk është ndryshuar. Ndërkohë, episodi i tretë, që lidhej me një prekje të qartë të topit me dorë brenda zonës në minutën e 97-të, nuk është kontrolluar aspak.
Sulmuesi Ivan Toney publikoi edhe një episod që ka rritur më tej dyshimet, duke zbuluar një bisedë të pazakontë me arbitrin e katërt. “Nuk e di nëse arbitri e kishte fikur mikrofonin para se ta thoshte, por më tha: ‘Përqendrohu te Liga e Kampionëve të Azisë’. Prandaj ne kërkojmë të publikohen regjistrimet audio që tifozët të dinë të vërtetën”, u shpreh Toney.
Edhe shoku i tij i skuadrës, Galeno ka reaguar në rrjetet sociale, duke shtuar presionin ndaj autoriteteve të futbollit saudit. “Mund t’ua japin kupën që tani, është e qartë çfarë duan të bëjnë”, shkruante ai në platformën X.
Në të njëjtën linjë, Al-Ahli ka publikuar edhe një deklaratë zyrtare, ku ngre pikëpyetje serioze mbi integritetin e vendimeve të arbitrimit dhe kërkon transparencë të plotë për situatat e kontestuara. Në renditjen aktuale të kampionatit, Al-Nassr kryeson me 70 pikë, i ndjekur nga Al-Hilal me 68 dhe Al-Ahli me 66, kur kanë mbetur edhe shtatë ndeshje nga mbyllja e sezonit.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)