Alkool apo ngërçe? Kjo është pyetja që ka qarkulluar në fushat e “Gold Coast” në Australi, aty ku po zhvillohet një turne ATP. Vetëm pak ditë pas përfundimit të “Australian Open 2026”, tenisi vazhdon të ofrojë spektakël, por edhe momente ilariteti.
Protagonist i episodit është Tomislav Edward Papac, tenisti australian i cili pozicionohet i 1325-ti në renditjen botërore. Për ta thënë në mënyrë politikisht korrekte, gjatë ndeshjes ai shfaqi probleme të dukshme me ekuilibrin. Papac kishte përballë si kundërshtar bashkatdhetarin e tij, Sam Ryan Ziegann.
Një video që u bë shpejt virale tregon Papac duke e pasur të vështirë të lëvizë, si në shërbim ashtu edhe në goditjet drejt fushës kundërshtare. Hapat janë të pasigurt, këmbët duket se nuk e mbajnë peshën e trupit dhe lojtari përfundon edhe në tokë pas një goditjeje të gabuar, duke u ngritur më pas me ndihmën e raketës.
Shkaku më i mundshëm i problemeve të Papac-it duket të jenë ngërçet muskulore, të njëjtat që javët e fundit kanë prekur edhe emra si Jannik Sinner dhe Carlos Alcaraz gjatë “Grand Slam” në Melburn. Megjithatë, disa përdorues në rrjetin “X” kanë hedhur dyshime të tjera, duke komentuar me ironi: “Ndoshta ka pasur pak shumë tequila para ndeshjes”.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)