Projekti i ri i Google synon ngirtjen e një qendre të dhënash që do të funksionojë me energji të pastër edhe pa diell apo erë.
Google po planifikon një qendër të re të dhënash në Minesota që do të mbështetet deri në 100 orë ruajtje energjie me teknologjinë hekur-ajër, në mënyrë që të mund të funksionojë vazhdimisht me energji të pastër edhe kur nuk ka diell apo erë.
Objekti do të jetë në thelb “bateria më e madhe në botë”, pasi do të kombinojë 1.9 GW energji ere dhe diellore me një bateri gjigante 300 MW me një kapacitet prej 30 GWh, e përshkruar si më e madhja e këtij lloji për shkak të kohëzgjatjes së ruajtjes.
Ndryshe nga bateritë konvencionale të litiumit, teknologjia e Form Energy bazohet në një parim të thjeshtë, por të ndryshëm. Ajo përdor ndryshkun e hekurit për të ruajtur dhe çliruar energji. Kur hekuri ekspozohet ndaj oksigjenit, formohet ndryshku dhe prodhohet energji elektrike, ndërsa gjatë rimbushjes procesi përmbyset dhe hekuri kthehet në formën e tij origjinale.
Kjo qasje lejon një kohëzgjatje shumë më të gjatë ruajtjeje, deri në 100 orë furnizim të vazhdueshëm me energji, gjë që është veçanërisht e rëndësishme për qendrat e të dhënave që duhet të funksionojnë pa ndërprerje edhe kur nuk ka erë ose diell.
Edhe pse bateritë hekur-ajër janë më të rënda dhe më pak efikase se bateritë e litiumit, duke rikthyer rreth 50% deri në 70% të energjisë që ruajnë, ato kanë avantazh të rëndësishëm, koston e tyre, pasi vlerësohen të jenë gati tre herë më të lira për kilovat-orë ruajtje.
Qendra e re e të dhënave do të jetë e para e Google në Minesota dhe do të vendoset rreth një orë në juglindje të Minneapolis. Ajo do të fuqizohet nga projekte të mëdha të energjisë së erës dhe diellit, të cilat do ta "mbushin" baterinë dhe do t'i lejojnë njësisë të funksionojë me energji të pastër për periudha të gjata kohore.
Projekti vjen gjithashtu me një model të ri financimi për energji të pastër që u lejon shërbimeve publike të investojnë në infrastrukturën e gjelbër pa rritur faturat e energjisë elektrike të konsumatorëve. Si pjesë e marrëveshjes, Google do të investojë dhjetëra miliona dollarë për të instaluar bateri më të vogla në rrjet, duke rritur besueshmërinë dhe fuqinë e përgjithshme të sistemit.
Ky plan tregon se si infrastruktura që konsumon shumë energji, siç janë qendrat e të dhënave, mund të funksionojë me autonomi më të madhe energjetike dhe një gjurmë më të ulët mjedisore, duke hapur kështu rrugën për një të ardhme më të qëndrueshme dhe "të gjelbër" energjetike.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)