“Doktrina e re e mbrojtjes së Amerikës”: Europa dhe NATO aleatë, Rusia kërcënim i menaxhueshëm

Prioritet i Shteteve të Bashkuara do të mbetet garantimi i territorit kombëtar. Ndryshim thelbësor në qasjen ndaj Kinës, kërcënimi nga Pekini nuk shihet më si rrezik madhor.

24.01.2026. 10:00

“Doktrina e re e mbrojtjes së Amerikës”: Europa dhe NATO aleatë, Rusia kërcënim i menaxhueshëm

Pentagoni publikoi “Strategjinë e re të Mbrojtjes Kombëtare”, e cila shënon një ndryshim të rëndësishëm në orientimin strategjik të Shteteve të Bashkuara. Mbrojtja e territorit amerikan mbetet prioritet absolut, e ndjekur nga parandalimi i Kinës përmes forcës, por jo nëpërmjet ballafaqimit, rritja e ndarjes së barrës me aleatët dhe forcimi i industrisë së mbrojtjes.

Dokumenti riafirmon rëndësinë strategjike të hemisferës perëndimore, e cila përshkruhet si e “neglizhuar” nga administratat e mëparshme, duke theksuar se SHBA nuk po ndjek një kurs të izoluar nga bashkëpunëtorët.

Sa i përket Europës, strategjia mban një qasje pragmatike. Rusia cilësohet si një “kërcënim i vazhdueshëm, por i menaxhueshëm” për vendet lindore të NATO-s. Megjithëse kontinenti evropian mbetet i rëndësishëm, dokumenti thekson se pesha e tij në ekonominë globale është në rënie.

NATO-s i kërkohet të marrë më shumë përgjegjësi për sigurinë e saj, duke përmbushur standardin e ri global të shpenzimeve për mbrojtjen, të vendosur në 5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Siç raporton media “Politico”, dokumenti nuk e përshkruan Europën si në “civilizim drejt rrënimit”, siç ishte shprehur “Strategjia e Sigurisë Kombëtare” muajin e kaluar.

Gjithsesi, theksohet rënia e rëndësisë strategjike të Kontinentit të Vjetër. “Ndërsa do të mbetemi të angazhuar në Europë, prioriteti ynë do të jetë mbrojtja e territorit amerikan dhe parandalimi ndaj Kinës”, thuhet në dokument. Strategjia shënon një ndryshim thelbësor në qasjen ndaj Pekinit.

Aty kalohet nga konkurrenca e drejtpërdrejtë, te parandalimi që bazohet te forca ushtarake. Sipas Pentagonit, qëllimi është arritja e stabilitetit, marrëdhënieve tregtare të drejta dhe respektit të ndërsjellë, pa synuar ndryshim regjimi apo përshkallëzim ekzistencial të rivalitetit.

Dokumenti thekson se SHBA nuk synon të “dominojë, poshtërojë apo izolojë Kinën”, por vetëm të sigurojë që as Kina dhe as ndonjë fuqi tjetër të mos dominojë SHBA-në apo aleatët e saj. Njëkohësisht, Koresë së Jugut i kërkohet të marrë më shumë përgjegjësi për sigurinë e saj, me Seulin që pritet të ketë rol kyç në parandalimin ndaj Koresë së Veriut.

Strategjia riafirmon fuqishëm Doktrinën Monroe dhe synimin për të rivendosur dominimin ushtarak amerikan në hemisferën perëndimore. Administratat e mëparshme kritikohen për neglizhencë ndaj interesave amerikane dhe për rrezikimin e aksesit ushtarak në zona strategjike si Kanali i Panamasë dhe Groenlanda. Në Lindjen e Mesme, dokumenti vëren se Irani, pavarësisht goditjeve të fundit, po përpiqet të rindërtojë kapacitetet e tij ushtarake konvencionale dhe mund të tentojë sërish të sigurojë armë bërthamore.

Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:

Komente (0)