Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, deklaroi se ka bërë “më shumë për fenë se çdo president tjetër” gjatë një fjalimi në Mëngjesin e 74-t Kombëtar të Lutjeve, të mbajtur të enjten në Uashington. Duke folur para ligjvënësve, liderëve fetarë dhe zyrtarëve të lartë, Trump e shfrytëzoi këtë aktivitet tradicional për të mbrojtur bilancin e administratës së tij dhe për të kritikuar ashpër demokratët.
“Është një traditë e bukur amerikane dhe është një nder i vërtetë të jem sërish këtu”, tha Trump, duke shtuar me humor se si president i duhet “gjithë ndihma që mund të marrë”. Ai theksoi se feja në SHBA është “rikthyer më e fortë se kurrë”, duke ia atribuar këtë politikave të tij.
“E di që nuk jam një kandidat perfekt, por administrata ime ka sjellë rezultate konkrete për besimtarët”, u shpreh Trump, duke shtuar: “Kam bërë më shumë për fenë se çdo president tjetër”. Sipas tij, presidentët modernë kanë zgjedhur neutralitetin ose armiqësinë ndaj fesë, ndërsa “demokratët janë kundër fesë”, duke pyetur “si mund të votojë një person besimtar për një demokrat”.
Trump përmendi edhe mbështetjen e gjerë publike për ligjet që kërkojnë identifikim në votime, duke thënë se “kur shkon të votosh, tregon kush je”, ndërsa akuzoi demokratët se e bllokojnë këtë masë për arsye politike, pavarësisht mbështetjes mbi 90 për qind, shkruan Newsmax.
Ai vlerësoi bashkëpunimin me republikanët në Kongres, përfshirë kryetarin e Dhomës së Përfaqësuesve Mike Johnson, si dhe përmendi arritje të tjera si forcimi i ushtrisë, rritja e prodhimit energjetik dhe rikthimi i rolit udhëheqës të SHBA-së në botë.
“Kur e vendos fenë atje ku i takon, gjithçka tjetër bëhet më e fortë”, përfundoi Trump.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)