Një incident i rëndë ajror ka tronditur të dielën shtetin e Idaho-s, kur dy avionë ushtarakë të marinës amerikane u përplasën në ajër gjatë një shfaqjeje. Ngjarja ndodhi në kuadër të spektaklit ajror “Gunfighter Skies”, i organizuar në Bazën Ajrore Mountain Home.
Sipas mediave lokale, avionët e përfshirë në aksident ishin dy EA-18G Growler, ndërsa përplasja ndodhi gjatë demonstrimeve në fluturim para qindra të pranishmëve.
Pavarësisht incidentit dramatik, të katër anëtarët e ekuipazhit arritën të katapultoheshin dhe u ulën në tokë me parashuta, pa humbur jetën. Pamjet e publikuara nga dëshmitarët tregojnë momentin e përplasjes së avionëve në ajër, ndërsa menjëherë më pas shihen katër parashuta duke zbritur pranë zonës së rrëzimit.
Video dhe fotografi të shpërndara në rrjetet sociale tregojnë gjithashtu shtëllunga të dendura tymi të zi që ngrihen mbi bazën ajrore.
Zyrtarët e Bazës Ajrore Mountain Home konfirmuan se ka ndodhur një “incident ajror” dhe se ekipet emergjente kanë ndërhyrë menjëherë në vendngjarje. Një zëdhënës i bazës deklaroi për Reuters se hetimet për shkaqet e aksidentit kanë nisur, ndërsa baza është vendosur përkohësisht në izolim.
Mediat amerikane raportojnë se shfaqja ajrore u ndërpre menjëherë pas aksidentit, ndërsa autoritetet po punojnë për të përcaktuar rrethanat që çuan në përplasjen e dy avionëve ushtarakë.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)