Egnatia dha një mesazh të fortë në startin e “Final Four”, teksa kampionët në fuqi shpërthyen me një fitore spektakolare 0-4 ndaj Elbasanit në “Air Albania”.
Skuadra e drejtuar nga Nevil Dede dominoi sfidën që në minutat e para, duke mbyllur praktikisht llogaritë që në pjesën e parë me një paraqitje të jashtëzakonshme në repartin ofensiv.
Bakajoko ishte protagonisti absolut i 45 minutave të para, duke tundur dy herë rrjetën e Elbasanit, ndërsa Fernando shtoi edhe golin e tretë për rrogozhinasit, që zbritën në fushë me ritëm dhe agresivitet maksimal.
Në fraksionin e dytë, Egnatia administroi me qetësi avantazhin e krijuar, pa i dhënë asnjë mundësi reagimi kundërshtarit. Për të vulosur triumfin mendoi Aleksi, i cili realizoi golin e katërt dhe mbylli një mbrëmje perfekte për kampionët.
Me këtë sukses, Egnatia ngjitet në kuotën e 31 pikëve në krye të klasifikimit, duke hedhur një hap të rëndësishëm drejt mbrojtjes së titullit. Nga ana tjetër, Elbasani mbetet gjithashtu me 31 pikë, por tashmë është i detyruar të reagojë në ndeshjet e ardhshme për të mbetur në garë.
Kujtojmë se java e parë e “Final Four” nisi me triumfin 0-2 të Dinamos ndaj Vllaznisë, ndërsa duelet e radhës do të zhvillohen më 23 dhe 24 maj.
Shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans:
Mund ta shkarkoni aplikacionin Newsmax Balkans nga Google Play dhe App Store.
Komente (0)